Të ftohtin e vuajnë të moshuarit/ Çifti i pensionistëve: Ngrohemi me gaz, energjia është e shtrenjtë

23/01/2022 19:34

Pensionistët për shkak të ardhurave të pakta e kanë pamundur që në këto ditë dimri të ngrohen me energji elektrike, zgjidhja e tyre për të përballuar temperaturat nën zero gradë celcius është gazi.

Çifti i të moshuarve nga Tirana, Ibrahimi dhe Bardha thonë se këtë vit ngrohja po u kushton shumë shtrenjtë pasi çmimi i gazit është dyfishuar. Për të kursyer para ditën ata ngrohen me gaz, ndërsa natën shpëtimin e gjejnë tek borsa me ujë të ngrohtë.

Ibrahim Tabakaj: Jo tani, por edhe më parë ne jemi ngrohur me gaz, për arsye sepse gazi ka qenë edhe më i lirë se sa energjia elektrike. Si pensionist që jemi na del më mirë me gaz,se me korrent.

Pyetje: Ju keni kondicioner në shtëpi?

Bardha Tabakaj: Po kemi kondicioner, por e ndezim vetëm ne behar pasi tani ai harxhon shumë energji dhe nuk të ngroh mjaftueshëm. Kur me gaz kemi shumë vite që ngrohemi, do më thënë vetëm kuzhinën të ngroh jo pjesën tjetër të shtëpisë.

Pyetje: Në kuzhinë për tu ngrohur përdorini gaz, po në dhomat e tjera me çfarë ngroheni?

Bardha Tabakaj: Ah, unë ka një borsë e mbush me ujë të ngrohtë e vë poshtë jorganit e lë një orë aty dhe më pas shkoj të shtrihem.

Pyetje: Çmimi i gazit ka ndryshuar, sa të kushton një bombël?

Ibrahim Tabakaj: Një bombël gazi për këtë ngrohëse më kushton 15.000 lekë të vjetra dhe e harxhoj për 7-8 ditë. Unë dua 4 të tilla në muaj.

Pyetje: Pra vetëm për ngrohjen harxhoni 60.000 mijë Lekë të vjetra?

Ibrahim Tabakaj: Po aq na shkon i gjithë muaji.

Bardha thotë se pensioni i saj prej 190 mijë Lekësh, nuk është i mjaftueshëm për ilaçet dhe ushqimin, por është pensioni i Ibrahimit ai që rregullon situatën ekonomike në shtëpi. Detyra si oficer dhe Nën-Kolonel i ka siguruar atij një pension të mirë, gjithsej ai merr 370 mijë Lekë në muaj. Çifti Tabaj thonë se falë këtij pensioni jetojnë më mirë se moshatarët e tyre.

Pyetje: Po moshatarët tuaj me çfarë ngrohen?

Ibrahim Tabakaj: Eh ata rrinë më shumë përjashta, të shkretët thonë që kanë një reflektor dhe e ndezin vetëm një orë në ditë, pasi nuk ia dalin dot.

Top Channel