21 janari/ Rama: Fajtorët e vetëm janë Berisha dhe Basha! Njëri kërkon të marrë SHQUP-in, tjetri ruan bravën

21/01/2022 13:22

Kryeministri Edi Rama në një komunikim live në facebook, me rastin e 11 vjetorit nga protesta e 21 janarit ku humbën jetën 4 protestues, ka një përgjigje për të gjithë ata që e cilësojnë atë si fajtor.

Për Ramën është e qartë se kush janë fajtorët, ai ka dy emra: Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Kryeministri tha ndër të tjera së Partia Socialiste e ka shlyer pjesën e saj të detyrimit përmes angazhimit të saj për reformën në drejtësi, për të cilën kërkoi durim për rezultate.

E ardhmja e drejtësisë nuk është blozë, edhe pse e tashmja nuk është rozë”, tha kryeministri.

“Pashë sot komentatorët që thonë nga pas bravës apo nga maja e shkallës që fajin e kisha unë se i thirra në protestë, por në fakt fajtorët janë dy është njëri mbi atë që synon të marrë SHQUP-in dhe tjetri që do të mbajë bravën. Të thuash se 4 njerëz u vranë se nuk duhet të shkonin në bulevard, unë nuk vazhdoj të komentoj më këto komente. Për ata që thonë që fajin e kam unë dhe Qeveria, unë nuk hyj te ata që u shmangën përgjegjësive apo që nuk di të kërkoj ndjesë dhe për këtë kam dhënë prova, por në këtë rast nuk shoh arsye të mendoj dy herë para kësaj akuze. Unë besoj se ne e kemi shlyer atë pjesë të detyrimit për 21 janarin dhe e kam fjalën për Reformën në Drejtësi që përgojohet përditë nga kundërshtarët dhe masakrohet përditë foltore më foltore, bravë më bravë, sallon më sallon, por është pa dyshim guri i themelit të munguar në 100 vite shtet ku drejtësia s’ka qenë kurrë drejtësi. Për herë të parë duan s’duan ata që nuk duan, është vënë një gur themeli në Shqipëri në 100 vite dhe e ka vënë kjo parti në pushtet në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në. E ardhmja e drejtësisë nuk është blozë dhe pse e tashmja nuk është rozë, por nuk është siç ka qenë para dhe gjatë komunizmit. Partia Socialiste, sidomos kur flas për reformën në drejtësi, mori përsipër të vendosë këtë gur themeli. E kam të qartë që durimi është një mall shumë i rrallë në këtë vend, se njerëzit kanë pritur shumë, sidomos për drejtësinë, unë jam i pari më i paduruari”, tha Rama.

Këtë të premte u shënuan plot 11 vite nga protesta e Partisë Socialiste, atëherë opozitë, përpara Kryeministrisë, ku ngelën të vdekur katër qytetarë dhe familjarët ende sot vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për të dashurit e tyre që u vranë.

Mëngjesin e kësaj dite familjarët e katër të vrarëve – Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika – e nisën me homazhe te Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Nga Bulevardi, familjarët e Aleks Nikës, të cilëve dhimbja u është shtuar edhe nga fakti që vrasja ka mbetur pa autor, deklaruan se çështjen do ta çojnë në Prokurorinë e Posaçme, pasi ajo e Tiranës, sipas tyre, kërkon ta mbyllë dosjen.

Sot, pas 11 vitesh, janë të njëjtat emocione si ditën kur u vra, s’ka asnjë zhvillim të ri në dosje. Qeveria ndonëse nuk merret me hetimin, merret prokuroria, duhet ta nxisë prokurorinë dhe drejtësinë, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme që në bashkëpunim me prokurorinë, çështja t’i kalojë SPAK-ut, kjo është arsyeja pse bëj kritikë, është SPAK-u kompetent për hetimin e kësaj çështje dhe jo Prokuroria e Tiranës që ka 11 vjet që mban dosjen në sirtar, pa kryer veprime dhe refuzon të na japë informacione. Megjithëse është e detyruar që të na informojë sepse ne jemi viktima dhe na njihen të drejtat sipas procedurës së re”, tha xhaxhai i Aleks Nikës për Top Channel.

Në homazhe për të nderuar viktimat e “21 janarit” , ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, sekretari i PS-së, Damian Gjiknuri, dhe personalitete të tjera të qeverisë shqiptare.

Kreu i Qeverisë është shprehur i bindur se drejtësia vonon, por nuk harron.

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga PS-ja protestuan kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Atëkohë, Garda e Republikës, nën komandën e Andrea Prendit, e mbylli protestën me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.

Top Channel