Autoritetet e shëndetësisë nëpër botë vënë re me shqetësimin një rritje të ndjeshme të infeksioneve që shkaktohen nga bakteret rezistuese ndaj antibiotikëve.

Më shumë se 1.2 milionë vdekje u shënuan në 2019 nga ky fenomen sipas studimit më të madh të realizuar ndonjëherë për këtë çështje. Një shifër e tillë është më e lartë se ajo e vdekjeve vjetore nga malaria dhe Sida.

Më të prekura nga rezistenca ndaj medikamenteve rezultojnë shtetet e varfra, thuhet në raportin e publikuar nga revista mjekësore, The Lancet. Aty rekomandohet që të ketë investime urgjente në ilaçe të reja, ndërsa thuhet se ato ekzistueset duhet të përdoren më me kujdes. Përdorimi i tepruar i antibiotikëve për infeksione jo shumë të rënda, nënkupton se ato po bëhen më pak efektive kundër infeksioneve serioze. Njerëzit janë duke vdekur nga infeksione që më parë ishin të trajtueshme, nënvizohet në studim.

Shifrat për vdekjet, janë të bazuara në hulumtime të kryera në 204 shtete nga një ekip i hulumtuesve ndërkombëtarë, i udhëhequr nga Universiteti i Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara. Hulumtuesit besojnë se rreth 5 milionë njerëz kanë vdekur më 2019 nga sëmundje ku ka pasur rol rezistenca ndaj baktereve, ndërsa 1.2 milion vdekje janë shkaktuar drejtpërdrejt nga ky problem.

Top Channel