Ylli i tenisit Novak Gjokoviç ka humbur gjyqin në Australi pas anulimit të vizës për shkak të problemeve me vaksinimin kundër koronavirusit dhe tani pritet të dëbohet nga vendi.
Gjyqtarët e refuzuan apelin e tij pasi qeveria anuloi vizën e lojtarit të pavaksinuar për herë të dytë këtë muaj për arsye të sigurisë së shëndetit publik.
Vendimi i ka dhënë fund shpresave të 34-vjeçarit serb për të mbrojtur titullin e tij në Australian Open dhe për të fituar një Grand Slam të 21-të.
Gjokoviç tha se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer”, por se e respektonte vendimin.
“Unë do të bashkëpunoj me autoritetet përkatëse në lidhje me largimin tim nga vendi”, tha ai në një deklaratë.
Tenisti ishte planifikuar të luante ndeshjen e tij të parë të hënën.
Gjatë seancës gjyqësore të së dielës përpara një paneli prej tre gjyqtarësh, avokati i Gjokoviç argumentoi pa sukses se arsyet e dhëna nga qeveria ishin “të pavlefshme dhe të palogjikshme”.
Tenisti serb do të qëndrojë në paraburgim në Melburn deri në dëbimin e tij.
Top Channel