Ulen infektimet në Greqi/ Numri i të shtruarve në spitale dhe të intubuarve është i lartë

15/01/2022 00:59

Viktima e parë e mutacionit “Omicron” që tashmë mbizotëron në shumë zona të Greqisë deri në masën 90%, është një grua 77-vjeçare që vuante nga kanceri dhe që nuk ishte e vaksinuar.

I pavaksinuar ishte edhe një 14-vjeçar në Fthiotidha , i cili humbi betejën me jetën pas një pneumonie të rëndë në mushkëri.

Numri i infektimeve ditore ka filluar të bjerë duke shkuar nën 20.000 raste , me moshë mesatare 36 vjeç, por mbetet ende i lartë numri i vdekjeve , 72 në 24 orët e fundit dhe në total prej fillimit të pandemisë 21.809. 95.1% e viktimave kishin historik të rënduar shëndetësor ose moshë 70 vjeç e lart.

Ndërkohë që shtrimet në spitale mbeten përsëri në nivel të lartë, mbi 570 mesatarisht në ditë, në të njëjtat kuota të larta gjithashtu vazhdon të jetë numri i të intubuarve, gati 680. Është karakteristikë fakti që vendosja me detyrim e tre testeve në javë në shkolla, ka rezultuar që të konstatohen brenda 5 ditëve mbi 31.000 raste pozitive me koronavirus nga nxënësit dhe mësuesit.

Mëngjesin e së premtes Greqia ka filluar dhënien me recetë, ashtu si për antitrupat monoklonale, edhe të pilulave antivirale të kompanisë farmaceutike Merck për trajtimin e koronavirusit, ndërsa pritet në javët në vijim, pas miratimit të saj dhe pilula antivirale e kompanisë Pfizer.

Top Channel