Tirana është gati për duelin me Vllazninë, që do të luhet nesër prej orës 19:45. Nesër rifillon Abissnet Superiore, dhe klasikja e futbollit shqiptar është përballja më e fortë dhe e bukur e javës së 16-të. Bardheblutë kryesojnë kampionatin me 33 pikë, ndërsa kuqeblutë nga Shkodra mbajnë vendin e katërt me 25 pikë.

Trajneri i ekipit kryeqytetas, Orges Shehi preku disa tema në prononcimin për mediet, duke u ndalur te forma e djemve të tij, kundërshtari, merkato dhe tifozët, të cilët i fton të jenë të shumë në “Air Albania”.

FORMA – “Mendoj se jemi gati, këto ditë na kanë shërbyer për të përgatitur skuadrën për të qenë sa më në formë. Kemi pasur shumë pak ditë pushim. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë stërvitur deri me datën 30. Jemi gati për ta nisur aty ku e lamë si nga ana fizike ashtu dhe nga ana psikologjike, pasi mentaliteti është shumë i rëndësishëm në vazhdimësi”.

NISJA E SHPEJTË E KAMPIONATIT – “Vështirësi do kishte nëse do të fillonim pak më vonë, kur ke pak kohë në dispozicion edhe gjendja e futbollistëve nuk shkon në nivelin zero dhe për mua është diçka pozitive që kampionati nis fillon kaq shpejt, duke mos pasur pauzë të gjatë të kampionatit”.

GJENDJA E SKUADRËS – “Fatmirësisht nuk kemi asnjë shqetësim apo lojtar me probleme. Në ndeshjet e fundit miqësore kishim disa lojtarë që kishin probleme fizike edhe për shkak të virozave, por janë rikthyer në stërvitje dhe shyqyr zotit nuk kemi asnjë mungesë”.

MERKATO – “Unë mendoj se jemi të kompletuar. E kam thënë dhe herë të tjera se nuk do ishte mirë që të bëjmë shumë lëvizje në merkaton e janarit, edhe për shkak se nuk ka shumë lojtarë cilësorë. Kemi afruar Devid që ia dimë vlerat, dhe në këndvështrimin tim nuk duhen lojtarë që nuk e njohin kampionatin. Kemi bërë një afrim që ishte i domosdoshëm duke pasur parasysh dhe dëmtimin e Ngoo. Besoj se jemi të kompletuar”.

VLLAZNIA – “Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje e vështirë, kemi një kundërshtar që është afër dhe në renditjen e përgjithshme, por dhe për shkak të cilësisë që ka. Vllaznia është një konkurrent i yni direkt. Kjo kërkon vlerësim dhe përqendrim maksimal. Duam që ta fillojmë vitin e ri aty ku ishim vjet. Në kampionatin tonë nuk ka shumë diferenca mes kundërshtarëve”.

MBËSHTETA E TIFOZËVE – “Ne si skuadër kemi lojtarin e 12-të dhe jemi me fat që e kemi. Është një ndihmë e madhe për ne dhe shpresojmë që t’i kemi sa më të shumtë. E dimë se jemi një klub më tifozeri shumë të madhe dhe shpresojmë që ta kemi edhe në këtë ndeshje. Dua t’i falënderoj, sepse na kanë qëndruar gjithmonë pranë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA