Kryedemokrati Lulzim Basha mbërriti disa orë me vonesë në Prokurorinë e Tiranës, ndonëse ishte thirrur që në orën 12:00 për të dëshmuar mbi protestën e 8 janarit, që demokratët zhvilluan para selisë blu e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, pasi dëshmoi para prokurorëve të çështjes, tha se ka pasur vetëm akte vetëmbrojtëse nga ana e personave të ndodhur brenda në godinën e selisë blu, ndaj protestuesve të dhunshëm.

Një ditë më parë, për 2 orë e 40 minuta ish-kryeministri Sali Berisha qëndroi përballë prokurorëve dhe iu tregoi versionin e tij për protestën ku mbështetësit e Berishës u përplasën me mbështetësit e Bashës, ndërsa godina e Partia Demokratike pësoi dëme të mëdha materiale, pasi protestuesit thyen dyert, dritaret dhe sende të tjera Brenda saj.

Dje, Berisha sërish akuzoi Lulzim Bashës, se për ditën e protestës, kishte zgjedhur mercenarë për të bunkerizuar PD.

“Të pranojë të qëndrojë i rrethuar me vrasës, trafikantë dhe bandë në një kohë që mbrohet nga garda, por edhe sikur të mos mbrohej, ti nga vrasës nëse do të qëndrosh në politikë s’mund ta bësh atë kurrë”, u shpreh Berisha. 

Si para prokurorëve edhe para medies nuk shpëtoi pa u shigjetuar edhe lideri i socialistëve Edi Rama, që Berisha përditë e më shumë e shikon si avokat të Bashës.

“Bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve partnere ta hetojnë minimumi për larje parash sepse Rama ia mbylli dosjen e larjes së parave në Shqipëri”, tha Berisha më tej.

Berisha këmbëngul se në tubimin e së shtunë nuk pati dhunë dhe ishte një protestë paqësore.

Dje, u mor në pyetje dhe Flamur Noka, krahu i djathtë i Berishës, ndërkohë që dy ditë më parë të gjithë të arrestuar e protestës u lanë të lire dhe vetëm për disa prej tyre u kërkua detyrim paraqitje.

FOTO GALERI
10/31

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA