Protesta e dhunshme e 8 janarit/ Berisha pas dëshmisë në Prokurori: Garda pranoi vrasësit e Lul Bravës

13/01/2022 13:59

Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të enjte kritikoi ashpër Gardën e Republikës, pasi dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me protestën e 8 janarit.

Në fjalën e tij para gazetarëve, Berisha tha se Garda e Republikës pranoi të mbronte vrasësit e kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke shtuar se për një fakt të tillë ka prova dhe që sipas tij brenda godinës së selisë ditën e shtunë kishte persona të armatosur.

“Çështja që unë shtrova me forcë si ka mundësi që të njëjta armë të narkoqeverisë së Edi Ramës përdorte dhe banda e Lulzim Bravës. Emrat e mercenarëve një pjesë i kanë ndaluar prokurorisë, problemi është se armët i nxori nga selia Lulzim Brava me mjetin e tij, siç e dini ju ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur në seli. Ka foto, por jo vetëm foto kështu që nuk ka asnjeri që vë në dyshim, që vë në diskutim prezencën e këtij grupi të gjerë në selinë si roje të Lul Bravës, moment tjetër që komprometon, që dëshmon krimin e  Lulzim Bravës është garda”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Garda nuk mundet të qëndrojë në mbrojtje të Bashës, sepse nuk është më kryetar opozite dhe se mban vrasës e banditë.

 “Lulzim Brava është në kundërshtim me ligjet e vendit, mbrohet nga garda, ai nuk është kryetar opozite. Nuk mundeni kurrë të qëndroni në mbrojtje të një njeriu që mban vrasës dhe banditë. Nuk janë politike asgjë nga këto. Një oficer garde që ruan një personalitet dhe ai mban vrasës, ata duhet të thonë se nuk e bëj këtë. A mundet oficeri i gardës që të jetë i rrethuar nga vrasës?! Ai është superfrikacak dhe vrasës. Fondamentalisë janë persona të lidhur me krimin, të ardhur nga Siria, janë mercenarë. Ata mbronin Lulzim Bravën. Këtu qëndrimi i gardës, pranimi nga garda i vrasësve është një krim i rëndë“, shtoi ai.

Në lidhje me lirimin e pesë të arrestuarve  mbështetës të Bashës në protestën e 8 janarit, ai tha se organi zbatoi thjesht urdhërin e dhënë nga kryeministri Edi Rama.

“Ku mund të arrestojnë këta, janë në kontroll të plotë, edhe po të duan të bëjnë të tyren, krimi nuk peshon këtu, është lidhja më flagrante e politikës me krimin, gjykata zbatoi urdhërin e Ramës”, tha ish-kryeministri.

Kryeprokurorja  Elizabeta Imeraj, e cila është në krye të hetimeve dhe prokurori Elio Mazreku kërkuan dëshminë e ish kreut  të PD-së dhe mbështetësit të tij Flamur Noka këtë të mërkurë në lidhje me 8 janarin.

Ndërsa nesër, në Prokurorinë e Tiranës do të paraqitet nga kampi kundërshtar, Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi.

Protesta e thirrur nga Seli Berisha në selinë e PD, nisi mesditën e 8 janarit dhe mbështetësit e tij dhanë shenjat se vazhdimi do ishte i dhunshëm. Ata nisën të shajnë dhe fyejnë të gjithë deputetët që mbështesnin Bashën.

Me të njëjtën situatë u gjend edhe Roland Bejko, anëtar i kryesisë të kësaj force politike i cili edhe u godit teksa donte të hynte në selinë blu, ndërsa mbështetësit e Berishës e detyruan të largohej.

Sali Berisha mbërriti ekzaktësisht rreth orës 12:00 në oborrin e PD-së, ndërkohë që Lulzim Basha për të evituar incidentet hyri në seli që në orën 08:00.

Misioni i protestuesve ishte i qartë, futja me çdo kusht në selinë blu. Ata mundën të hyjnë vetëm në katin e parë dhe tentuan pa sukses të çmontonin dyert e blinduara që të çojnë në katin e dytë.

Tentativa për të marrë selinë vijoi nga jashtë përmes shkallëve. Ata që donin të realizonin futjen nga dritaret, ku u përballën me gaz lotsjellës hedhur nga brenda selisë së PD-së.

Vendosmëria për të marrë selinë u përqendrua në një derë anësore duke vënë në përdorim leva e çekaanë. Nga të vetmet të çara që mundët të bënin, morën mbrapsht një sasi të madhe gazi lëshuar nga brenda.

Pas më shumë se dy orë protestë, ndërhyrja e policisë me kërkesën e PD-së bëri që të shpërndaheshin protestuesit,  ndërsa Berisha ndodhej brenda selisë.

Më pas, Berisha u largua në drejtim të Kryeministrisë ku edhe lajmëroi shpërndarjen e protestës.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës  të mërkurën vendosi të lirojë nga burgu 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.

Ndër të tjera, Kryesia e PD-së përjashtoi përgjithmonë nga Partia Demokratike Sali Berishën dhe mbështetësit e tij.

Në një mbledhje maratonë të kryesisë u mor vendimi për përjashtimin e anëtarëve të të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë, janë pezulluar deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

 

FOTO GALERI
1/18

Top Channel