Cristiano Ronaldo është penduar shumë për kalimin në “Old Trafford”. Ylli portugez la Juventusin në verën e kaluar për t’u rikthyer pas 12 vitesh te Manchester United për shumën e 15 milionë eurove.
36-vjeçari ka shënuar 14 gola deri tani mes kampionatit dhe Champions League, por ecuria e ekipit anglez dhe trajneri Ralf Rangnick, i cili nuk po arrin të rikthejë ekipin aty ku duhet, po e “detyrojnë” të largohet në fund të sezonit.
Në Angli bëjnë të ditur se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është takuar ditët e fundit me Jorge Mendes, agjentin e tij të njohur. Portugezi është i shqetësuar për situatën tek United dhe mënyrën se si po menaxhohen gjërat te “Djajtë e Kuq”. Ekipi anglez renditet për momentin në vend të shtatë me 31 pikë, katër pikë larg zonës Champions dhe 22 pikë më pak se City kryesues, duke qenë shumë larg pritshmërive të tifozëve dhe ambicieve të CR7.
Katalanasja Sport.es shkon edhe më tej, duke zbuluar destinacionin e mundshëm të sulmuesit të famshëm. Emri i tij po lidhet përsëri me Barcelonën, kjo edhe prej faktit se agjenti i Ronaldos ka marrëdhënie shumë të mira me klubin katalanas.
Vetë lojtari portugez ka dhënë miratimin e tij për transferimin në “Camp Nou” nën urdhrat e Xavit, një lëvizje që sigurisht që nuk do pritej aspak mirë nga tifozët e Real Madrid, klub ku CR7 kaloi 9 vite të paharrueshme.
Top Channel