Skenë lufte apo kryeqyteti shqiptar, Tirana, është pyetja që mund t’ju vijë në mendje kur shikoni fotot e kësaj të shtune, nga situata e krijuar prej protestës në selinë blu.

Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur ‘non grata’ ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Qytetarë të shtrirë në tokë nga gazi lotsjellës i hedhur në rrugë për të shpërndarë turmën e inatosur, autobote duke hedhur ujë, të tjerë me maska kundërgaz e të gjakosur

Kjo është pamja e Tiranës, anormale që të kujton ndoshta dhe 21 janarin e vitit 2011, një prej ditëve më të zeza në memorien e vendit.

Dita e sotme kaloi me disa të plagosur përfshirë protestues dhe policë, të cilët ndërhynë në momentin që rrezikohej jeta e disa prej deputetëve që ishin në selinë blu, ndërsa protestuesit po shpartallonin dyert e blinduara.

Për situatën e krijuar pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata njëzëri dënuan aktet e dhunës, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë me qetësi.

Policia, pas qetësimit të situatës, njoftoi se ka shpallur “skenë krimi” godinën e PD-së, duke vendosur shiritat e verdhë në ambientet e jashtme të saj.

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e shpalli të mbyllur protestën për sot, duke theksuar se është vetëm fillimi.

FOTO GALERI
1/35

Top Channel