Policia ka marrë një furgon nga vendngjarja në cilësinë e provës materiale, pas protestës së dhunshme në selinë e PD-së.

Kryeprokurorja Elisabeta Imeraj bashkë me Drejtorin e Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika kanë qëndruar prej disa orësh në seli bashkë me grupin e punës për të marrë provat e mjaftueshme të hetimit të ngjarjes së rëndë.

Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Kjo e shtunë  kaloi me disa të plagosur përfshirë protestues dhe policë, të cilët ndërhynë në momentin që rrezikohej jeta e disa prej deputetëve që ishin në selinë blu, ndërsa protestuesit po shpartallonin dyert e blinduara.

Për situatën e krijuar pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata njëzëri dënuan aktet e dhunës, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë me qetësi.

Policia, pas qetësimit të situatës, njoftoi se ka shpallur “skenë krimi” godinën e PD-së, duke vendosur shiritat e verdhë në ambientet e jashtme të saj.

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e shpalli të mbyllur protestën për sot, duke theksuar se është vetëm fillimi.

Top Channel