25 protestues dhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë së Partisë Demokratike janë shoqëruar në polici për veprime të dhunshme.

Policia njofton se po vazhdon punën për identifikimin e shtetasve që dhunuan dhe shkatërruan pronën publike, gjatë protestës që mbajtën këtë të shtunë mbështetësit e Sali Berishës në selinë blu.

Mbështetësit e ish-liderit demokrat Sali Berisha përdorën leva, çekiçë, gurë dhe sende të tjera për të thyer dyert dhe xhamat e selisë blu.

Selia e PD-së konsiderohet tashmë një skenë krimi. Pasi u larguar protestuesit, grupi hetimor bëri kqyrjen e zonës.

Deri më tani, disa shtetas janë shoqëruar në polici, ndërsa kryeprokurorja Elizabeta Imeraj u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.

Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë, njoftoi policia.

 

Top Channel