Skandali i pagave me lidhje ruse!/ I arrestuari Endri Ikonomi, ish drejtor i kompanisë së miliarderit rus

07/01/2022 19:34

Hetimi për skandalin e publikimit të listës së pagave të 690 mijë shqiptarëve po krijon një pistë me hije ruse për shkak të një prej të arrestuarve.

Ai është Endi Ikonomi, ish drejtor i një kompanie pronë e miliarderit rus Oleg Boiko. Emri i rusit përmendet në raportin voluminoz të hetimit amerikan për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Sipas raportit emri i rusit lidhet me akuza të bëra ndaj tij për ndërhyrje në zgjedhjet e Moldavisë.

Ky është Endri Ikonomi, i arrestuar si një nga katër personat e përfshirë në skandalin e pagave. Ai dyshohet se kishte blerë nga dy punonjës shtetërorë listën e pagave.

Endri Ikonomi deri në vjeshtën e vitit që kaloi ishte administrator i kompanisë Credit 2 ALL. Kjo kompani sipas regjistrimit është krijuar në vitin 2017 nga një kompani qipriote e cila një vit më vonë e shiti kompaninë për llogari të shtetasit, Oleg Boiko, rus me pasaportë italiane që jeton në Zvicër.

Ky është dokumenti i shitjes me të dhënat. Kompania shqiptare është blerë me 100 euro. Po kush është Oleg Boiko, ai është pronar i një grupi financiar, që merret kryesisht me sistemet e informacionit, jep konsulenca.

Oleg Boiko është miliarder dhe zotëron një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë. Përveç bizneseve të tij të shumta, ai përmendet në këtë raport të kongresit amerikan për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Ja çfarë shkruhet në raportin amerikan:

Boiko ka lidhje me qeverinë ruse, shërbimin inteligjent rus dhe shërbimet e sigurisë përfshi krimin e organizuar. Mediat moldave kanë raportuar se Boiko ishte i përfshirë edhe në ndërhyrjet Kremlinit në zgjedhje të vendeve të huaja duke përdorur në këto operacione influencën e tij.

Top Channel pyeti zyrtarisht Prokurorinë e Tiranës që po heton dhe që kreu edhe katër arrestimet, por për shkak të hetimit nuk u bënë komente.

Megjithatë kërkon përgjigje pyetja se përse një miliarder rus blen në Shqipëri një kompani e cila investon për të blerë informacione sekrete për të gjithë shtetasit shqiptarë siç është edhe lista e pagave të 690 mijë shqiptarëve.

Top Channel