Atentati ndaj Vicens Pirolit/ Gjendet makina e përdorur nga autorët, shpallet në kërkim 23-vjeçari që e kishte marrë me qira

07/01/2022 15:49

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja e Vicens Pirolit, 34 vjeç në lagjen “Bahacallëk”, Shkodër. Ngjarja ndodhi në datën tre dhe policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjes. 

Ndërkohë është sekuestruar mjeti tip BMW X5 që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Gjatë kontrollit të territorit, bazuar në informacionet e grumbulluara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e këtij automjeti, i cili ishte braktisur në rrugën ‘’Hodo Beg Sokoli’’,  Shkodër. Ky automjet është marrë me qira nga shtetasi Arjon Beqiri 23 vjeç, më datë 03.01.2022, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit.

Në vijim të veprimeve hetimore është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A.B., 23 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.

Në lidhje me këtë ngjarje, para 2 ditësh janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, edhe shtetasit: V. P., 34 vjeç dhe M. M., 29 vjeç, i cili ka transportuar 34-vjeçarin në spital, por nuk ka njoftuar Policinë dhe nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon  puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel