Amerikanët mendojnë se sulmi i 6 janarit 2021 ndaj Kongresit është ende një nga traumat kryesore të politikës së viteve të fundit. Disa ceremoni përkujtimore u organizuan për të shënuar përvjetorin e sulmit dhe shumë gazeta, veçanërisht ato të qendrës së majtë, e kanë cilësuar atë ditë si momentin kur demokracia amerikane u rrezikua të përmbysej dhe jo vetëm nga rebelët në Kongres, por edhe më lart. Dhe gjithçka nisi nga manovrat politike të Donald Trump dhe ndjekësve të tij.
6 janari është edhe momenti i ndarjes së thellë mes Trumpit dhe Partisë Republikane, e cila deri atëherë kishte ndjekur linjën e presidentit, duke pranuar gjuhën e tij të dhunshme dhe propozimet politike diskriminuese dhe joliberale.
Atëherë kur mbështetësit e Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar certifikimin e zgjedhjes së Joe Biden, disa personalitete të shquara konservatore duket se u çliruan për një çast nga ndikimi i Trump.
Sulmi ndaj Kongresit theu përfundimisht aleancën politike mes Trump dhe zv/Presidentit Mike Pence, i akuzuar nga përkrahësit e Trump, se nuk veproi mjaftueshëm për të bllokuar zgjedhjen e Biden. Mitch McConnell, udhëheqësi republikan në Senat tha se Trump kishte “nxitur” rebelët. Edhe Kevin McCarthy, udhëheqësi i deputetëve republikanë tha se presidenti në largim kishte “përgjegjësi” për dhunën në Kongres, ku dhe vdiqën pesë persona.
Mësohet se në kohën kur sulmi po vazhdonte në Kongres, disa prezantues të Fox News, rrjetit televiziv që ndër vite ka krijuar një marrëdhënie simbiotike me Trumpin dhe elektoratin e tij, i kanë shkruar shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë duke i kërkuar që Presidenti të ndërhyjë për të ndaluar dhunën.
“Presidenti duhet t’u thotë njerëzve në Kapitol të shkojnë në shtëpi. Kjo dhunë po na dëmton të gjithëve, po shkatërron trashëgiminë politike”, shkruajti Laura Ingraham, një nga prezantueset më të njohura të Fox.
Trump dërgoi një video-mesazh rebelëve në kohën kur sulmi në Kongres ishte drejt përfundimit, duke u thënë atyre të shkonin në shtëpi, por shtoi: “Ne ju duam”.
Megjithatë, kjo ndarje e Donald Trump me Partinë Republikane nuk zgjati shumë. Brenda pak javësh pjesa më e madhe e konservatorëve që kishin dënuar Trump-in e morën fjalën dhe filluan ta mbështesnin si më parë. Laura Ingraham e Fox News, pavarësisht mesazheve të saj private shqetësuese, vetëm disa orë pas sulmit filloi të përhapte teorinë e rreme në TV live se sulmi ishte nxitur nga infiltrues të së majtës ekstreme.
Disa ditë më vonë, Dhoma e Përfaqësuesve nisi një gjyq për shkarkimin e Trump për rolin e tij në sulmin ndaj Kongresit, por vetëm dhjetë deputetë republikanë votuan pro. Në Senat, vetëm shtatë senatorë. Disa republikanë që votuan për shkarkimin e tij u përjashtuan më vonë nga partia, siç ndodhi për shembull me Liz Cheney, me vajzën e ish-zëvendëspresidentit të SHBA-së.
Në muajt në vijim, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve ngritën edhe një Komision Hetimor për ngjarjet e 6 janarit, i cili megjithatë u bojkotua nga i gjithë lidershipi republikan, i cili u përpoq në çdo mënyrë të parandalonte dhe vononte fillimin e punimeve. Vetëm dy republikanë ranë dakord t’i bashkohen këtij komisioni: Liz Cheney dhe Adam Kinizinger.
Në përgjithësi, Trump sot mbetet figura më me ndikim dhe më e fuqishme në peizazhin konservator amerikan dhe një pjesë e madhe e Partisë Republikane i përmbahet interpretimit që ai i bëri ngjarjeve të 6 janarit ose të paktën vendosi të mos e kritikojë atë publikisht.
Trump ka deklaruar se fitorja e Biden në vitin 2020 erdhi si rezultat i manipulimeve dhe për këtë arsye ai ende vazhdon të jetë presidenti legjitim i Shteteve të Bashkuara, duke u shndërruar në një nga viktimat më të mëdha të historisë politike amerikane. Prandaj, sipas tij, sulmi ndaj Kongresit nuk ishte një tentativë për kryengritje, por një protestë legjitime e patriotëve për të mbrojtur demokracinë.
Deri më tani nuk është publikuar asnjë provë se ka pasur manipulime me zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe pavarësisht kësaj, në disa shtete votat janë rinumëruar disa herë, gjithmonë me kërkesë të grupeve konservatore.
Disa komentatorë mendojnë se ekstremizmi i fortë i Partisë Republikane mund të jetë një rrezik për demokracinë. Gjatë muajve të fundit, gazetat anglo-saksone, kanë botuar shkrime të shumta që flasin për këtë çështje dhe pak a shumë të gjitha vënë re një fenomen që “The Economist” e ka përcaktuar si “polarizim asimetrik”: nga dy partitë e mëdha amerikane, njëra është bërë mjaft ekstreme për t’iu përmbajtur të paktën pjesërisht ideologjive joliberale dhe të dhunshme.
Janë shfaqur simptoma të ndryshme të këtij fenomeni, përveç atyre të përmendura tashmë. Për shembull, fakti që elektorati republikan, sipas sondazheve, është gjithnjë e më i prirur për të justifikuar dhunën politike. Ose edhe magjepsja e jashtëzakonshme e një pjese të Partisë Republikane për regjimin hungarez të Viktor Orbanit, politikat reaksionare dhe joliberale të të cilit konsiderohen nga disa konservatorë si një model i mundshëm për t’u ndjekur.
Këtë javë Trump lëshoi një deklaratë duke miratuar Orbanin për zgjedhjet e ardhshme edhe pse votimi në Hungari pritet mes muajve prill dhe maj. Në të vërtetë, sipas studiuesve të ndryshëm, institucionet dhe sistemet amerikane për t’u mbrojtur nga autoritarizmi janë ende shumë të qëndrueshme.
Megjithatë, ndikimi absolut i Trump në parti vazhdon të jetë një element pasigurie. Ai ende nuk ka lajmëruar nëse do kandidojë sërish në zgjedhjet e 2024 dhe nuk është ende e qartë se çfarë do të bëjë; pavarësisht se nuk e ka larguar ekipin e tij të këshilltarëve politikë dhe nuk është ndaluar kurrë nga grumbullimi i fondeve.
Nga ana tjetër, Trump do të jetë 78 vjeç në vitin 2024. Ajo çfarë është e sigurt deri më tani, nëse ai qëndron sërish, Partia Republikane do ta pranojë përsëri si lider.
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley apo Ron DeSantis, guvernatori i Floridës, kanë bërë me dije se nuk do konkurrojnë në zgjedhjet paraprake nëse Trump do të marrë pjesë. Sondazhet, megjithëse shumë të parakohshme, thonë se Trump ka një shans për të fituar kundër Biden në zgjedhjet presidenciale.
Top Channel