Pesë persona në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar janë vënë në pranga në 24 orët e fundit vendin tonë.

Nga specialistët në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u arrestua Altin Koçeku 30 vjeç, pasi bënte kërdinë me vjedhje në autostradën Tiranë-Durrës.

Ai është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kryente vjedhje të kasafortave në biznese dhe vila në autostradën Tiranë-Durrës, ku në datën 12 dhjetor u arrestuan tre shtetas dhe u shpallën në kërkim tre  të tjerë.

Falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve u bë e mundur kapja e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë.

Bilbil Lluka dhe Eduardo De Francesco të arrestuar përkatësisht në Hungari dhe Itali u ekstraduan drejt vendit tonë.

Lluka 36 vjeç  ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, më datë 25.01.2021 i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërsa De Francesco 56 vjeç u kap pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 14.02.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Kurse Gani Abazi, 61 vjeç, banues në Tepelenë, ishte shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me tetë vite burgim.

Gjithashtu në Gjirokastër u kap Viktor Gaço, 38 vjeç, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, në bazë të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Top Channel