Kryedemokrati Lulzim Basha duket se i ka marrë mirë masat për të mbrojtur selinë blu, pas protestës së 8 janarit të paralajmëruar nga Sali Berisha.

Në fotot e publikuara së fundmi, ai ka vendosur derë të blinduar në hyrjen anësore të godinës, pas instalimit disa kamerave shtesë.

Prej ditësh tashmë po bëhen punime në selinë blu, ndërsa Grupi i Rithemelimit të PD-së, mbështetës të Berishës nuk janë lejuar të futen në godinë.

Data pesë janar ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor 2021 dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor 2021.

Basha jo vetëm që s’i është dorëzuar ultimatumit të vendosur, por nuk ka lejuar edhe anëtarët e  Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, mbështetës të Berishës të futen në seli.

Situata e ndërlikuar prej muajsh brenda PD-së, duket se nuk do të ketë një fund, ndërsa dita-ditës rëndohet.

Nga ana tjetër, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokrati, Gazment Bardhi, protesta e thirrur nga Berisha është një thirrje për dhunë, që favorizon vetëm qeverinë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ndërsa këtë të mërkurë, Aldo Bumçi pjesë e Grupit të Përkohshëm të Rithemelimit u shpreh se bunkieri do të çlirohet ditën e shtunë dhe do të kthehet në shtëpinë e demokratëve.

Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë të shtunën, në protestën e paralajmëruar nga Berisha, nëse do të ketë skena dhune apo do të jetë një protestë paqësore.

Top Channel