Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Tiranë ku mbeti i vrarë një 35-vjeçar dhe u plagosën 4 të tjerë policia nuk ka ende asnjë gjurmë nga autorët.

Burimet për gazetarën e Top Channel, Anila Hoxha tregojnë se pasi policia ka studiuar skedat e secilit mes tyre edhe persona të plagosur rastësisht, është e bindur se atentati që për pak do ishte kthyer në një masakër, kishte si objektiv Edmond Cerroin.

Urim Cerroi, i vëllai i Edmondit, ka sqaruar se së bashku me të vëllanë, janë dënuar në Itali për shitje të lëndëve narkotike dhe në Francë për trafikim të qenieve njerëzore, ndërkohë ka hedhur dritë mbi të kaluarën e viktimës, një 35 vjeçar që priste të bëhej baba.

Sipas tij, viktima kishte një aktivitet biznesi tabakino ngjitur me lokalin ku ka ndodhur ngjarja, por si ai edhe i vëllai i tij Blerimi janë marrë me tregtim lëndësh narkotike në Itali.

Nga këqyrja e trupit të viktimës konstatohet se 35-vjeçari ka marrë pesë plumba, ku dhe i janë shkaktuar plagë të shumta në disa pjesë të trupit.

Ai është shprehur se nuk ka dijeni në lidhje me autorët apo për motivet e kësaj ngjarje.

Në lidhje me ngjarjen, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka arritur të sigurojë dëshminë e personave të plagosur, ndërsa mësohet se Arben Dani ka dëshmuar se rreth orës 16:00 pasi ka shoqëruar bashkëshorten në punë, pranë vendit të ngjarjes,  është futur tek lokali ku më pas i është bashkuar edhe kushëriri i tij, Edmond Surroi. Në tavolinën pranë kanë qenë edhe dy vëllezërit Çela, më pas ata janë bashkuar në një tavolinë ku kanë qëndruar rreth gjysmë ore dhe më pas janë dëgjuar krismat ku dhe ka vënë re se është plagosur në këmbë. Ashtu i plagosur, ka vendosur të futet menjëherë poshtë tavolinës, ndërsa për shkak se krismat nuk po mbaronin është futur në banjon e lokalit. Pasi kanë pushuar krismat e armës ka dalë dhe është nisur drejt spitalit ushtarak. Ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për konfliktet e viktimës.

Kruse Azbi Slimaj ka qenë ulur si klient në pjesën ku lejohej cigarja së bashku me dy shokë të tij, Erg Molla dhe Joers Merama, si dhe me një kushëri të Joersit. Slimaj ndodhej me kurriz nga rruga dhe sapo ka dëgjuar krismat është shtrirë menjëherë në tokë. Me të mbaruar të shtënat e armëve ai ka vendosur të dalë nga dritarja e thyer e lokalit dhe aty ka ndjerë që ka qenë i plagosur dhe për këtë fakt ka shkuar në spital.

Ai ka sqaruar se nuk kishte njohje me asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje dhe nuk ka parë gjë në lidhje me ngjarjen.

Mësohet pronari i lokalit, rreth orës 16:12 është telefonuar nga banakieri, i cili i ka kërkuar që të shkonte urgjent në lokal dhe të shikonte kamerat. Pas këqyrjes së tyre, ai ka vënë re forca të policisë që ishin në vendngjarje. Sipas tij, viktima dhe të plagosurit ishin klientë të rregullt të lokalit, madje ata e kishin frekuentuar lokalin edhe një ditë ose dy ditë më parë.

Grupi hetimor i tha gazetarës së Top Channel, Anila Hoxha se Cerroi, 41 vjeç, iu gjetën me vete një bllok jeshil me shënime shifrash dhe rreth 1650 euro. Mësohet se telefonat e personave të plagosur dhe viktimës, së bashku me kamerën e sigurisë në lokal, janë dërguar për këqyrje.

Pavarësisht se personat e plagosur në dëshminë e tyre paraprake nuk kanë dhënë detaje të tjera, kamera e sigurisë sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, tregon se vrasësi i cili u afrua me një makinë me targa të vjedhura qëlloi me breshëri automatike mbi tavolinën ku ishte ulur shënjestra e tij dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që makina me të cilën autorët kryen krimin të jetë çmontuar në servis makinash për të mos lënë gjurmë.

Lidhur me ngjarjen e rëndë dhe situatën kriminale në kryeqytet, drejtori i Policisë Tiranë, Lorenc Panganika mblodhi dje shefat e komisariateve dhe ato të hetimit të krimit për t’i kërkuar angazhim maksimal në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbardhjen e ngjarjeve.

Top Channel