Alternativna Televizija doo Banja Luka (ATV)

Departamenti i Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnjes dhe anëtarin e Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik për aktivitete destabilizuese dhe korruptive në vend, ndërsa bashkë me të është penalizuar edhe një television.

Alternativna Televizija doo Banja Luka (ATV), një media me bazë në Banja Luka, sipas SHBA- së është pronë nga një kompani e lidhur ngushtë me familjen e Dodik.

Dodik ushtron kontroll personal mbi ATV, sipas SHBA-së, të cilin e përdor për të ngritur imazhin e tij publik dhe për të avancuar qëllimet personale dhe politike.

Alternativna Televizija doo Banja Luka (ATV), një media me bazë në Banja Luka, RS, është në pronësi private nga një kompani e lidhur ngushtë me familjen e Dodik. Megjithatë, vetë Dodik ushtron kontroll personal mbi ATV në prapaskenë, si për shembull duke kërkuar miratimin personal për historitë mediatike që lidhen me tema të ndjeshme politikisht. Dodik e bleu ATV-në për të çuar përpara qëllimisht dhe shprehimisht axhendën e tij, e cila përfshin përpjekjet e tij për të denigruar figura të tjera politike, për të ndriçuar imazhin e tij publik dhe për të avancuar qëllimet e tij personale dhe politike.

Dodik u ka dhënë kontrata të lidhura me ATV drejtpërdrejt anëtarëve të familjes së tij, të cilat ai i ka përdorur si një rrugë tjetër për korrupsionin. Ai ka derdhur para direkt nga kompanitë publike në ATV për qëllime korruptive. Dodik ka rritur ndjeshëm fondet për ATV vitet e fundit dhe është angazhuar në fushata keqdashëse të ndikimit të mediave sociale përmes ATV për të publikuar përmbajtje që avancojnë qëllimet e tij politike dhe personale. ATV është përcaktuar në bazë të OE 14033 se është në pronësi ose kontrolluar nga, ose ka vepruar ose pretenduar të veprojë për ose në emër të, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Dodik”, sipas njoftimit të SHBA-së.

Lideri i serbëve të Bosnjes dhe anëtari i Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik

Më herët, ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq  paralajmëroi sanksionet kundër Dodikut.

Ajo tha se ekziston një qëndrim i harmonizuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se ky nuk do të jetë fundi, por vetëm fillimi i vendosjes së sanksioneve.

Në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.

Dodik, i cili është gjithashtu president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur iu përgjigj pyetjes së një gazetari në lidhje me sanksionet e mundshme të cilat i paralajmëroi ministrja e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq.

Këto janë sanksionet e tyre, nuk janë tonat. Unë nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë për Amerikë, edhe nëse do të mi heqin sanksionet nesër“, tha më parë Dodik.

Puna e institucioneve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë është bllokuar që nga korriku i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit e njësisë Republika Sërpska refuzuan të marrin pjesë në çdo vendimmarrje.

Parlamenti i Republikës Sërpska veçse ka ndërmarrë disa iniciativa që mund të çojnë drejt ndarjes nga Bosnja.

U kërkua që Republika Sërpska, e cila është një nga dy njësitë brenda Bosnje dhe Hercegovinës, të heqë dorë nga ngritja e një agjencie të barnave dhe aktivitetet e mëtejshme për të marrë në mënyrë të njëanshme kompetencat e shtetit.

E gjithë kjo ka shkaktuar krizën më të madhe politike në Bosnje e Hercegovinë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995, prandaj disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë folur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve.

Megjithatë disa politikanë evropianë si kryeministri hungarez Viktor Orban kanë kundërshtuar mundësinë e sanksioneve kundër disa zyrtarëve të Republikës Sërpska, duke përfshirë anëtarin e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar Asambleja e Republikës Sërpska miratoi konkluzionet që parashikojnë “kthimin e kompetencave” nga niveli shtetëror te njësia, si dhe Deklaratën mbi Parimet Kushtetuese të Republikës Sërpska, e cila udhëzon institucionet e këtij mekanizmi të hartojnë një kushtetutë që do ta bënte Banja Lukën kryeqytetin e entitetit, ndërkaq Palle, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.

Më parë, më 20 tetor të vitit të kaluar, i njëjti organ ka miratuar Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, i cili parashikon themelimin e një agjencie të barnave, e cila operon në nivel shtetëror që nga viti 2009.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë është shqetësuese dhe se përpjekjet e Dodikut që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnja, ishin të papranueshme.

Top Channel