Festat e fundvitit sjellin në atdhe shumë familje shqiptare që jetojnë në vendet e BE-së.

Një prej tyre është edhe kjo familje nga Librazhdi që kthimin në atdhe e sheh dhe si një mundësi për të mbajtur lidhur me rrënjët shqiptare dy djemtë që kanë lindur në Greqi. Ndaj sot kanë ardhur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

”Dua që dhe fëmijët e mi të dinë diçka nga historia e vendit tonë dhe erdhëm këtu në muze”, tha emigranti.

-Ku jetoni?

“Në Greqi. Kemi shumë vite atje. Njohim historinë greke, pse mos të njohin dhe kalamajtë tonë historinë shqiptare.”

I biri flet shumë pak shqip, por na tregon se po e shijon vizitën ku vëmendjen ia tërheq veçanërisht kjo furrë antike balte.

Taulandi është një tjetër vizitor në këto ditë festash. Ai ka qenë punonjës i muzeut arkeologjik, po 3 vite më parë emigroi familjarisht drejt Gjermanisë.

‘’Është një dashuri që e zbulova kur erdha këtu në punë. Kam qenë në pjesën e administratës, pasi unë nuk jam as arkeolog e as historian, por kam studiuar ekonomik. Po kjo dashuri e re më ndjek kudo që jam’’, tha Taulandi.

Qendra Muzeale e Durrësit hodhi pas krahëve një periudhë të vështirë, duke kthyer në muze dhe amfiteatër rreth 13 mijë vizitorë vendas e të huaj.

”Në 2021 kemi pasur një fluks në rritje të vizitorëve në muze dhe Amfiteatër që është pjesë e parkut arkeologjik të Durrësit. Kemi pasur një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë edhe pse ka qenë një vit pandemie”, tha Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeale Durrës.

Ky vit pritet të sjellë një interes më të lartë të vizitorëve, si dhe investime që do të nxjerrin edhe më në pah trashëgiminë e rrallë arkeologjike të qytetit antik.

”Në 2022 presim që vizitorët të shtohen, po do kemi dhe risi pasi muzeu arkeologjik do të nisë së shpejti rikonstruksionin e tij. Të gjitha katet e tij do të bëhen të vizitueshme. Ka një plan dhe për Amfiteatrin e Durrësit. Shpresojmë që pas punimeve do të kemi më shumë vizitorë që do të kenë dhe më shumë gjëra të reja për të parë”, tha Alban Ramohitaj.

Top Channel