Viti i Ri 2022 erdhi! Spektakël fishekzjarrësh në të gjithë qytetet/ Festë në shtëpi dhe lokale, por nuk munguan incidentet!

01/01/2022 16:25

Viti i Ri 2022 erdhi dhe u prit për herë të parë gjatë kësaj pandemie, pa kufizime!

Qytetarët festuan në shtëpi, dolën në sheshe dhe panë spektaklet me fishekzjarrë dhe të gjithë i bashkoi një urim: Shëndet dhe mbarësi!

Spektakli fishekzjarrëve ishte dhurata e fundvitit për të gjithë njerëzit që po festonin ne ‘sheshin Skënderbej’, i cili pavarësisht situatës së Covidit ishte i mbushur plot.

Nata e ndërrimit të viteve është shoqëruar me atmosferë festive në të gjithë Shqipërinë. Në Shkodër, organizimet nga bashkia munguan, ndërsa qytetarët u mblodhën në shesh për të ndjekur spektaklin e fishekzjarrëve.

Shumë të rinj, iu drejtuan më pas lokaleve, për shkak të heqjes së orarit të kufizimit nga qeveria.

Bulqizë edhe pse temperaturat shënonin nën zero qytetarët u mblodhën në pedonalen e qytetit për të festuar, ndërsa nga policia nuk u shënua ndonjë incident, dhe as persona me nevojë për trajtim mjekësor.

Durrës, festa erdhi ndryshe këtë vit. Emaar Group, kompania pas ndërtimit të portit të ri organizoi një koncert në shëtitoren Taulantia, ndërsa festa kulmoi me hedhjen e fishekzjarrëve.

Ndërkohë në Lushnjë dhe Fier, qytetarët shijuan fishekzjarrët, ndërsa pas tyre të rinjtë iu drejtuan edhe lokaleve të natës.

Në Bashkinë e Vlorës nuk kanë munguar përveç fishekzjarrëve edhe këngët dhe vallet nga qytetarët, të cilët ndërrimin e viteve e pritën në zonën historike të qytetit, ku bashkia kishte organizuar edhe një koncert.

Elbasan 2022-i u prit me një spektakël fishekzjarrësh. Qytetarët magjinë e dritave ne qiell e ndoqën ne sheshin “Aqif Pasha”, ndërsa heqja e orareve kufizuese mbushi plot baret pas mesnate.

Korça gjithashtu priti me atmosferë festive natën e ndërrimit të viteve, ndërsa qytetarët u mblodhën në pedonalen e qytetit.

Gjirokastër spektakli i natës së ndërrimit të viteve u organizua në pjesën historike të qytetit, me një spektakël fishekzjarrësh nga kalaja.

Fëmija i parë i vitit 2022 është djalë dhe quhet Akid. Prindërit e tij quhen Klodian dhe Albana, të cilët janë shumë të lumtur që kanë pritur fëmijën e parë që përkon edhe me fëmijën e parë të vitit 2022. Një minutë pas ndërrimit të viteve lindi dhe Aiden në maternitetin Koço Gliozheni.

Ky vit i ri filloi mbarë, pasi Shqipëria nisi sot mandatin 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB, mandat ky për të cilin vendet lobojnë e investojnë për vite e dekada.

Ashtu siç e kishin parashikuar meteorologët ky 1 janar ishte plot diell! Në plazhin e Vlorës, në temperatura 15 gradë persona guximtarë u zhytën në det. Ky është një ritual çdo fillimi viti që disa qytetarë zhyten në shenjë mbarësie.

Po sigurisht që nuk kanë munguar as incidentet! Në minutat e para të vitit 2022, një banesë në katin e katërt të një pallati është përfshirë nga flakët. Banesa në pronësi të G.B., pësoi vetëm dëme materiale. Pak minuta pas ndërrimit të viteve u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në lagjen “Drita” në Burrel. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, ndërsa policia vuri në pranga autorin. Ndërkaq, një 38-vjeçar u vë në pranga nga policia e Fierit pasi u kap me 700 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese, 20 kubikë dhe 300 kapsolla.

Nata e ndërrimit të viteve nëpër botë kaloi në atmosferë festive edhe pse nën hijen e Omikron.  Në Brazil nata e vitit të ri u shënua me hedhjen e fishekzjarrëve në plazhin ikonik të Copacabanës, që tërhoqi mijëra vizitorë.

Ndërkohë në Britani, gongu i Big Benit të famshëm pas katër vitesh mungesë lajmëroi mbërritjen e vitit të ri, duke mbledhur turma të mëdha njerëzish. Në Greqi, teksa ora shënoi 12 qielli mbi Akropolisin e famshëm u ndez nga drita e fishekzjarrëve.

Rreth 7 mijë veta u mblodhën në sheshin Puerta del Sol në Madrid duke ngrënë rrush dhe duke kërcyer derisa shënoi 12. Ndërsa në Nju Jork, rreth 15 mijë veta u mblodhën në Times Square për të parë topin që bie. Numri i spektatorëve ishte i kufizuar për shkak të masave anticovid.

FOTO GALERI
2/57

Top Channel