Burrel/ Festuan ardhjen e Vitit të Ri duke qëlluar me armë zjarri, arrestohet një person. Tjetri procedohet penalisht

01/01/2022 11:53

Pak minuta pas  ndërrimit të viteve, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në lagjen “Drita” në Burrel.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe shoqëroi në komisariat shtetasit G. K., 42 vjeç; dhe M. K., 21 vjeç, pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër pranë banesës së tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua  arma e zjarrit  automatik, 35 fishek, një kallëp dinamiti, tre kapsolle detonatore dhe 3 gëzhoja në vendin e ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimit, dhe shërbimet e Patrullës së Përgjithshme  në Komisariatin e Policisë Mat, gjatë patrullimeve dhe kontrollit të zonës me qëllim ruajtjen e rendit e sigurisë publike dhe parandalimin e çdo ngjarje të mundshme kriminale, rreth orës 00.20, datë 01.01.2022,  në lagjen “Drita”, Burrel,  kanë dëgjuar  të shtëna armësh dhe menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë është bërë ndërhyrja e shoqërimi në Komisariat i shtetasve G. K., 42 vjeç; dhe M. K., 21 vjeç, pasi dyshohet se këto dy shtetas kanë qëlluar me armë zjarri në ajër pranë banesës së tyre.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shterasit G. K., dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë shtetasi M. K., të dy banues në Burrel”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.

Top Channel