Këtë natë të ndërrimit të viteve Durrësi premton një spektakël të paharrueshëm fishekzjarresh te Vollga buzë detit.

Investitori i Durrës Marina, Emaar Group sjell nga Dubai në bregdetin e Durrësit një spektakël që do të ndriçojë qiellin këtë mesnatë duke ndezur atmosferën dhe shpresën për një vit të ri plot gjallëri e mirëqenie. Spektakli do të nisë në orën 11.00 me një koncert te shëtitorja bregdetare ”Taulantia” për të kulmuar në mesnatë me hedhjen e fishekzjarreve.

Në fasadën e godinës së bashkisë në qendër të qytetit është vendosur edhe një ekran gjigant LED ku shfaqen pamje nga investimet e këtij grupi në vende të ndryshme të botës, përfshirë dhe projektin për ndërtimin e Durrës Yachts & Marina, në territorin ku sot shtrihet porti detar dhe përreth tij.

Përveç turistëve që kanë ardhur tashmë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve, Durrësi pret dhe shumë vizitorë  nga qytetet përreth për të shijuar spektaklin e kësaj nate festive në shesh, buzë detit.

Kryeministri Edi Rama shkruan në Facebook se banorët e Durrësit mund ta ndjekin spektaklin e fishekzjarreve tek Vollga, ndërsa ka uruar të gjithë shqiptarët një vigjilje të paqme të Vitit të Ri.

Postimi i kryeministrit Rama:

Mirëmëngjes dhe me këtë njoftim të këndshëm për banorët e Durrësit, që sonte në orën e këmbimit të viteve, mund të shijojnë spektaklin e fizhekzjarreve nga “Burj Khalifa” tek “Vollga”, si dhuratë e Marinës së Dubait për durrsakët mikpritës të Marinës së Durrësit, ju uroj të gjithëve një vigjilje të paqme të Vitit të Ri

Top Channel