Ajo çfarë hamë dhe pimë ka një efekt të drejtpërdrejtë në mendjen e njeriut dhe veçanërisht kur ai është në moshë të thyer. Të paktën kështu mendojnë disa shkencëtarë pas një studimi që ata kanë realizuar dhe të cilin e kanë publikuar në Journal of Alzhemer’s Disease.

Përmes këtij studimi u arrit të analizohet gjeni, dieta ushqimore dhe shëndeti i mbi 1.500 personave, të gjithë shtetas britanikë. Ata prej 10 vitesh iu përgjigjen disa pyetësorëve, duke dhënë informacion të vazhdueshëm për studiuesit. Personi në moshë më të madhe në këtë kampion ishte 77 vjeç.

Ata ishin të detyruar të tregonin sa shpesh dhe në çfarë sasie konsumonin 49 ushqime bazë. Duke përfshirë fruta të freskëta dhe të thata, perime të papërpunuara dhe të ziera, peshk, pulë, produkte mishi, mish të kuq (mish derri, viçi, qengji) djathë, bukë, drithëra, çaj, kafe, birrë, musht, verë të kuqe dhe të bardhë, shampanjë dhe pije alkoolike.

Analiza e të dhënave të mbledhura tregon se djathi dhe alkooli, veçanërisht vera e kuqe, janë mbrojtja më e mirë e kujtesës për personat në moshë. Përveç kësaj, për të reduktuar problemet mendore në pleqëri është e nevojshme të hahet mish qengji një herë në javë.

Llojet e tjera të mishit të kuq nuk japin një efekt kaq të mirë. Gjithashtu duhet të shmanget konsumimi i tepërt i kripës, veçanërisht për personat me rrezik gjenetik në sëmundjen e Alzheimerit.

Studiuesit thanë se ishin befasuar pasi kishin mësuar se konsumimi i përditshëm i djathit dhe verës së kuqe i kishte ndihmuar shumë njerëzit në përballimin e stresit gjatë pandemisë Covid-19.

Sigurisht, konsumimi i alkoolit është i këshillueshëm vetëm në sasi të vogla. Pasi dihet se përdorimi i tij i tepërt ka efekt të kundërt.

Top Channel