Tridhjetë vjet më parë, në fund të dhjetorit, Sergei Krikalev zbuloi së bashku me miliona bashkatdhetarë të tij se shteti në të cilin lindi nuk ekzistonte më. Ndryshe nga të gjithë të tjerët, lajmi i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (BRSS) i mbërriti kur ishte shumë larg tokës, në orbitë në stacionin hapësinor MIR, e cila konsiderohej si një nga postat orbitale më të rëndësishme të kohës e ndërtuar nga qeveria sovjetike.

Ishte 26 dhjetori i vitit 1991 dhe Krikalev padashur ishte gati të shndërrohej në “qytetarin e fundit sovjetik”, siç do të përkufizohej më vonë në artikuj dhe tregime të shumta rreth aventurës së tij.

Ai e kishte filluar karrierën e tij si kozmonaut në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë, kur e ashtuquajtura “gara hapësinore” mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik dukej se kishte përfunduar. Sovjetikët kishin shkëlqyer menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, duke dërguar në orbitë satelitin dhe njeriun e parë, por më pas ata humbën gradualisht terren ndaj amerikanëve, me misionet e këtyre të fundit në hënë falë programit Apollo.

MIR (që do të thotë në rusisht “botë” dhe “paqe”) ishte ndoshta arritja më e rëndësishme e teknologjisë hapësinore sovjetike. Ndërtimi i saj në orbitë kishte filluar në vitin 1986 dhe u nevojiten rreth 10 vjet për ta përfunduar. Ideja ishte për të pasur një bazë orbitale nga ku mund të realizoheshin eksperimente dhe të testoheshin efektet e jetës së kozmonautëve në hapësirë, madje edhe gjatë misioneve me kohëzgjatje të gjatë.

Logjika nuk ishte shumë ndryshe nga ajo që është ndjekur sot për Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), një bashkëpunim mes agjencive të shumta hapësinore dhe që mund të konsiderohet në shumë aspekte si trashëgimtar i MIR.

Krikalev mbërriti për herë të parë në MIR në vitin 1988 dhe qëndroi aty për rreth 5 muaj, koha maksimale e lejuar për trajnim. Tre vjet më vonë, më 19 maj të vitit 1991, ai u nis në një mision të ri që do të rezultonte më i gjati dhe më i paharrueshmi i jetës së tij.

Më pak se një muaj nga mbërritja e tij në orbitë, Krikalev mësoi për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Krahas zgjedhjeve të para presidenciale në Rusi, në qytetin ku ai lindi, Leningrad, u mbajt një referendum për ndryshimin e emrit në Shën Petersburg. Vendimi u miratua dhe në shtator qyteti mori emrin e vjetër.

Ky ndryshim ishte vetëm një nga shenjat që paralajmëronin shpërbërjen përfundimtare të Bashkimit Sovjetik. Vende të ndryshme, dikur pjesë e BRSS, ishin larguar ose po shkonin drejt pavarësisë dhe në muajin gusht ndodhi grushti i dështuar i shtetit, i konsideruar si një nga pikat kyçe të rënies së Bashkimit Sovjetik.

Duke parë tokën nga 400 kilometra larg, Krikalev nuk kishte pasur mundësinë të vinte re ndryshime kaq drastike. Rusia dhe territoret e tjera ishin të njëjta si më parë. Për më tepër, kufijtë nuk duken nga hapësira, por me kalimin e ditëve, në stinën e vjeshtës, filloi të kuptohej se problemet e krizës ekonomike dhe politike në botë do të preknin edhe ekuipazhet e MIR.

Në atë periudhë të trazuar për vendin, stacioni hapësinor duhej të drejtohej nga dikush dhe Krikalevit iu kërkua të zgjaste qëndrimin e tij atje, pasi ishte i vetmi nga katër personat që ndodheshin aty që kishte pasur mundësinë të trajnohej siç duhet për misionet orbitale me kohëzgjatje të madhe.

Totkar Aubakirov, një kozmonaut rus dhe astronauti i parë austriak, Franz Viehbock u larguan nga MIR dhe u kthyen në Tokë në fillim të muajit tetor, në vitin 1991, duke lënë atje Krikalev dhe kolegun e tij Alexander Volkov, të cilët kishin arritur në atë stacion hapësinor pak më vonë.

Pas formimit të Komunitetit të Shteteve të Pavarura, më 26 dhjetor të vitit 1991 Bashkimi Sovjetik u shpërbë përfundimisht dhe më datë 1 janar të vitit 1992, Rusia zyrtarizoi pavarësinë e saj, duke shënuar kështu fundin e vërtetë të BRSS dhe të gjitha programeve të saj kryesore, së bashku me programin hapësinor, pjesë e të cilit ishin Krikalev dhe Volkov.

Dy kozmonautët nuk ishin më sovjetikë, por ata nuk e dinin ende se si dhe kur do të përfundonte misioni i tyre në hapësirë. Ditët kalonin dhe Krikalev tani kishte kaluar rreth tetë muaj në orbitë, tre muaj më shumë se sa ishte planifikuar misioni i tij. Një problem tjetër ishte se Kozmodromi Baikonur, porta për në hapësirën e Bashkimit Sovjetik, ishte në Kazakistan, i cili kishte fituar si shtet pavarësinë e tij.

Krikalev dhe Volkov mund të ishin kthyer në Tokë duke përdorur një kapsulë transporti të vendosur në MIR, por kjo do të sillte braktisjen e stacionit dhe lënien e tij pa një drejtues, duke rrezikuar seriozisht ekzistencën e stacionit. Por kaluan disa muaj që Rusia të gjente burimet për t’i kthyer në shtëpi.

Në fund të marsit të vitit 1992, pas 311 ditësh në orbitë, Krikalev më në fund arriti të kthehej në Tokë së bashku me Volkov, duke i lënë vendin një ekuipazhi të ri. Rusia e nderoi me medaljen e lartë të nderit “Hero i Federatës Ruse” me motivacionin e mosbraktisjes së stacionit MIR. Krikalev u kthye më pas në hapësirë për misione të tjera dhe ishte gjithashtu i pari rus që hyri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Ai edhe sot punon për programin hapësinor rus dhe ishte ndër mbështetësit kryesor të idesë për ta shpëtuar MIR, në kohën kur qarkulluan propozimet e para për ta braktisur atë, sepse ishte i vjetër dhe kishte një kosto të lartë për t’u mirëmbajtur.

Stacioni u braktis dhe u shkatërrua në atmosferë. Krikalev ishte pushtuesi i fundit sovjetik i tij dhe i pari rus që e braktisi atë.

Top Channel