Burri im,

Po afron mesnata, po bien këmbanat e kishës. Të gjithë janë larg, gruaja invalide, kuzhinieri, shërbëtorja, vajza dhe mbesa kanë shkuar në meshën e mesnatës. Sartri është në Paris për të takuar mamanë e tij; burri i sëmurë rri shtrirë në shtrat dhe në shtëpi jeton vetëm zonja plakë, sepse i urren kishat, predikuesit dhe mesha nuk i intereson fare. Por, ajo rri shumë qetë në dhomën tjetër, kurse unë ndihem shumë e vetmuar, sepse doja të isha, të kaloja natën e Krishtlindjeve me ty. Sot isha pak e trishtuar, siç ndodh kur një ditë më parë kam marrë letër nga ti dhe e di se pa kaluar java nuk do të marr tjetër. Dhe kjo letër e veçantë dhimbshme, ishte pak e hollë dhe më la me stomak bosh. Jam shumë e uritur, i dashur. Por tani, në qetësinë dhe vetminë e kësaj nate, ndihem mirë përsëri. Janë Krishtlindjet tona të para së bashku zemër, dhe do të doja të besoja në Zot, që ta falenderoj sepse na ka dhënë njëri-tjetrin. Nuk kam kë të falenderoj, thjesht do të të them se je dhurata më e çmuar e Krishtlindjeve. Është bukur të të ndiej pranë meje ndërkohë që këmbanat bien si të marra.

​Vajza dhe mbesa erdhën dhe duken më të mira, sepse janë të qeshura, të reja, të lumtura që ndodhen aty, të pashme, por pak si budallaqe. Dje lexova librin “Numri Një” nga Xhon Dos Pasos, jo aq i mirë sa të tjerët që më pëlqenin shumë; në të ka përshkruar shumë pije të ftohta, udhëtime me avionë dhe verën e nxehtë amerikane, që më trullosi pak me mallin për Amerikën, jo vetëm për ty, ty njeri mendjemadh, por për të gjithë fshatin e dehur, tmerrësisht i zënë me punë dhe i mrekullueshëm. Piva shumë gota me pije molle të fortë, duke u përpjekur që të mos mendoja për skoç e soda dhe më dhuroi ëndrra të mrekullueshme, në Amerikën e Jugut, me zezake që mbanin fustane të arta e të argjendta dhe femra të bukura të zhveshura në kopshte mahnitëse dhe pishina blu. Por… u zgjova me shije të keqe në gojë dhe trishtim të lehtë në zemër. Ja, këtë më bëri Xhon Dos Pasos.

​Jam e sigurt, që zonja plakë do të të pëlqente. Bashkë me miken time kaliforniane, është e vetmja grua që më intereson; e vetmja për të cilën kam respekt (nuk respektoj shumë njerëz). Është e mirë, edhe tani që është mplakur. Por kur pashë fotografi kur sapo kishte mbushur të njëzetat, m’u duk magjepsëse: shumë e imët. Më duket vetja si grua e rritur në krahasim me atë, koka e saj mezi më arrin te supi. Ka fytyrë të rrumbullakët të vogël, hundën më të vogël që mund të shohësh, një gojë të vogël rrethore, sy të zinj, shumë njerëzorë dhe flokë të bukur të zinj. E gjithë fytyra ishte kaq e bukur me diçka të gjallë dhe rrëzëllitëse. Ajo e kaloi vajzërinë në Amerikën e Jugut, në një fermë të madhe, pa mamanë, me baba të ashpër, por të zgjuar, i cili i dha edukim të mirë: i mësoi latinisht, gjermanisht, matematikë dhe të kalëronte kuajt e egër nëpër pampat e vetmuara. Kishte një motër të cilën e donte me gjithë zemër; kur erdhën në Paris ishin te të njëzetat, si amazona të vogla dhe shoqëria franceze iu duke e tmerrshme: të gjithë pjesëtarët e familjes janë njerëz të mirë edukuar, me gjeneralë, admiralë dhe bashkëshorte; pa kuaj të egër, pa liri, i urrenin. Por motra (nuk e di pse) u martua me një biznesmen dhe zonja plakë (e cila atëherë ishte shumë e re), dëshironte të qëndronte me motrën dhe pranoi të martohej me një kushëri, njeri i pasur dhe mjek shumë i njohur. Më e keqja ishte se motra vdiq herët dhe tjetra u plagos për vdekje nga kjo humbje. Ajo qëndroi me burrin e saj të cilin nuk e donte, një borgjez mendjemadh me barseta dhe kapele kashte; besoj se e urrente të flinte me të dhe mendon se seksi është një pëlqim koti. Kishte dy fëmijë, për të cilët u kujdes shumë. Më pas, burri u sëmur, siç të thashë në mënyrë krejt të çuditshme dhe filloi të jetonte vetëm. Dhe çfarë më pëlqen tek ajo, ishte se duke ia kushtuar jetën bashkëshortit dhe fëmijëve, ia doli vërtetë të mbetej mikja më e mirë e vetes, gjë që e bëjnë pak njerëz dhe rrallë gratë.

Në moshën dyzet vjeçare, zuri miqësi me djem të rinj, mësues të djemve të saj, udhëtoi me ta dhe u tërhoq nga njëri prej tyre, edhe pse nuk patën asnjë lloj marrëdhënieje seksuale. Para dhjetë vjetësh ai u martua dhe jam e sigurt se ajo vuajti shumë nga ky lajm, por gjithsesi mbetën miq të mirë. Jeta e saj është e zymtë, por ajo kurrë; mendon gjithmonë për gjërat me mendje të kthjellët, të zgjuar dhe të matur, ndihmon njerëz edhe pse prej tyre nuk pret ndonjë gjë të madhe, gjithmonë e qeshur në trishtim, nuk beson tek asgjë dhe askush, por nuk është cinike, ka zemër të ngrohtë, megjithëse nuk është kurrë sentimentale dhe e ashpër; kënaqet me lulet, një qen, një mace, një rreze dielli, një libër i mirë, është gjithnjë e kuptueshme, dashamirëse dhe interesohet për gjithçka. Në sytë e mi nuk duket e mplakur dhe ka ende diçka sekrete, shumë të thellë e të mirë, që e bëjnë ndryshe nga një vajzë e re. E vetmja grua e cila nuk qepej pas asnjë mashkulli, së cilës nuk i nevojitej mashkulli vetëm për të marrë frymë siç bëjnë në Francë, por besoj edhe në Amerikë. Më pëlqejnë gratë që mund të jetojnë jo si egoiste, por si të pavarura. Mirë, besoj se të tregova boll që të të lë të kuptosh se çfarë ndjej, duke qenë në shtëpi vetëm me të.

Perktheu: Alda Bardhyli

Shkëputur nga “Një dashuri trasantlantike“, Simone De Beauvoir.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA