Basha thirrje prokurorisë: Arrestoni Fatjon Dautajn, trafikanti i kërkuar në Britani u pa në selinë e PD

21/12/2021 15:13

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të martën denoncoi me forcë episodin e dhunshëm ku një shoqërues i ish-kryeministrit Sali Berisha shkelmoi derën e sallës ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit Kombëtar të kësaj partie.

Në fjalën e tij, gjatë një konference për mediat, Basha akuzoi me emër e mbiemër shtetasin Fatjon Dautaj, i cili sipas tij është në kërkim nga drejtësia britanike për trafik droge, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që ta arrestojë.

Sali Berisha nga dëshpërimi për dështimin e një lëvizje false, po zbrazet mbi dyert e PD, i shoqëruar nga eksponenti i krimit të organizuar, siç është Fajton Dautaj, një prej narko–trafikantëve në Britani. Në prani të një familjari të tij, ish-punonjës i Policisë, Dritan Berisha. Asi është i kërkuar nga agjencia britanike dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, që ta shqyrtojnë praninë e tij. Ja ku e kanë, e kërkojnë në Angli, por është në selinë e PD, duke shkelmuar derën e PD. Ky informacion do iu përcillet organeve ligjzbatuese. Hyrja e dhunshme në zyra, vetëm ekspozon dëshpërimin e Sali Berishës, që e lexuan dje. Dëshpërim që vjen nga fakti se e ka kuptuar se nuk është pakicë, por i vetëm. I ndjekur nga një pakicë e çuditshme që e kanë urryer gjithmonë, që shpresojnë që të kapin ndonjë copë, dhe nga një pjesë e demokratëve të zhgënjyer. Më lini ta them fare qartë; PD i ka mundësitë që të mbrojë integritetin e institucionit të saj, nëse dikush kërkon që të përdhos institucionin. PD i kërkon prokurorisë që të arrestojë Fatjon Dautajn, pasi kërkohet si narko-trafikant në Britani”, tha Basha.

Partia Demokratike kallëzoi penalisht këtë të marte shtetasin Fatjon Dauti si personin që ndërmori akte dhune në selinë e Partisë Demokratike.

Në një njoftim për mediat, PD thekson se pas analizës së pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, preson me precedent të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të PD-së.

Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, shtetasi Fatjon Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.

Një ditë pas protestës së organizuar në Tiranë kundër “Open Balkan” dhe vizitës së Presidentit serb Vuçiç në Shqipëri, grupi i rithemelimit të PD-së, ka mbërritur këtë të martë në selinë blu për të zhvilluar mbledhjen e radhës.

28 anëtarëve të komisionit të rithemelimit të PD-së i printe ish-lideri i kësaj partie, Sali Berisha.

Në selinë blu u zhvilluan dy mbledhje paralele, ku me herët Lulzim Basha kishte mbledhur anëtarët e grupit parlamentar në një nga sallat e selisë, apo siç njihet ndryshe nga gazetarët si salla e grupit.

Po ashtu, ish-kryeministri Berisha në momentin që është futur në mjediset e brendshme të selisë së partisë, dyert e sallave i ka gjetur të mbyllura, ndërsa mbështetësit e tij janë detyruar t’i hapin ato me forcë.

Berisha dhe mbështetësit e tij u vendosën tek salla e konferencave për të vijuar mbledhjen me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Kjo është hera e tretë që grupi i rithemelimit të PD-së shkon në selinë blu.

Dy ditë pas Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetori, Sali Berisha shkoi në seli ku zhvilloi mbledhjen e parë me 28 anëtarët e komisionit.

Incidentet nuk munguan mes grupit të Berishës dhe Bashës.

 

FOTO GALERI
3/14

Top Channel