Indrit Sadedini, shenjestra e atentatit

Detaje të reja kanë dalë në dritë për atentatin ndaj Endrit Sadedinit, 34-vjeçarit, të cilit iu shpërthye një sasi eksplozivi te këmbët ndërsa ishte duke ecur në trotuarin pranë pallatit të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në hyjre të Lungomares, në Vlorë.

Policia njofton sot se në bypassin e Fierit, pranë mbikalimit të “Parkut të Apollonisë” është gjetur i djegur një automjet i markës “Mazda”, i cili dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes.

Sikurse shihet edhe nga pamjet që ka siguruar Top Channel, makina tip Mazda me targa AA 014 IC  është e shkrumbuar totalisht dhe pritet të bëhet ekspertia totale nga grupi hetimor.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në datën 19.12.2021, për ngjarjen e ndodhur tek lagjja  “Pavarësia”, ku mbeti i dëmtuar nga shpërthimi i një lënde eksplozive, shtetasi E. S., ju bëjmë me dije se: Nga shërbimet policore, në bypassin e qytetit të Fierit, pranë mbikalimit të “Parkut të Apollonisë” është gjetur i djegur një automjet i markës “Mazda”, i cili dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes”, njofton policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë tre autorë, dy lëviznin me makinë dhe një i tretë e ndiqte në distancë.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur të dielën dhe raportohet që eksplozivi të ketë ndodhur kur ai po ecte në trotuar. Meqenëse prej kohës Sadedini lëvizste me makinë të blinduar eksplozivi i është vendosur në rrugën që do ta çonte te pallati, siç dyshohet e fshehur në një kuti kartoni që është aktivizuar kur ai kaloi në këmbë.

Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se pista që po hetohet është ajo e pazarave të prishura të hashashit.

Katër vjet më parë një sasi lënde plasëse iu vendos në makinë dhe eksplozivi u neutralizua nga një ekip xhenierësh. Në bazë të kësaj ngjarjeje ai  kërkoi azil në Francë por pa sukses.

Ndërkohë policia ka gjetur një makinë të djegur në zonën e Babicës, e cila dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes.

Top Channel