PAMJET/ Ja kutia e kartonit ku ishte fshehur eksplozivi për atentatin ndaj 34-vjeçarit, çfarë mbeti nga shpërthimi

20/12/2021 10:22

Top Channel ka siguruar pamjet e asaj çfarë la shpërthimi i djeshëm në garazhin e pallatit ku jetonte 34-vjeçari Indrit Sadedini.

Sasia e lëndës shpërthyese ka qenë e konsiderueshme sa ka prekur edhe pjesën e bordurës së betonit. Ndër të tjera duket edhe kutia e kartonit me të cilën autorët kishin mbuluar pakon me lëndën shpërthyese për atentatin ndaj Sadedinit.

Kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë janë sekuestruar nga policia dhe është vërejtur se rreth 15 minuta se të ndodhte shpërthimi, një person me kapuç në kokë ka kaluar aty pranë dhe ka hedhur një pako duke e mbuluar me letër që të mos binte në sy.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur kur i riu po ecte në trotuar. Prej kohësh Indrit Sadedini lëvizte me makinë të blinduar, ndaj duket se atentatorët e kanë vëzhguar duke e vendosur eksplozivin në rrugën që do ta çonte te pallati, të fshehur në një kuti kartoni që është aktivizuar nga larg me telekomandë kur ai kaloi në këmbë pranë saj.

Për shkak të plagëve të marra pas dërgimit në spitalin e Vlorës i riu u transferua te Spitali i Traumës në Tiranë.  Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e pazarave të prishura të hashashit.

Katër vjet më parë një sasi lënde plasëse iu vendos në makinë dhe eksplozivi u neutralizua nga një ekip xhenierësh. Në bazë të kësaj ngjarjeje Indrit Sadedini kërkoi azil në Francë, por pa sukses.

FOTO GALERI
7/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA