Policia e Korçës ka përfunduar me sukses një tjetër operacion policor dhe ka vënë nën pranga një 1 person, i cili është kapur duke transportuar 23 emigrantë të paligjshëm.

Në pranga u vu shtetasi I.T., 46-vjeç, me precedent të mëparshëm penale, i cili kishte fshehur në karrocerinë e kamufluar të mjetit 23 emigrantë, me qëllim shmangien e kapjes nga policia.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA-Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, të shtetasit I. T., 46 vjeç, banues në Durrës (me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe vjedhjes).

Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara, se një mjet tip “Ford” do të transportonte kundrejt shpërblimit, në drejtim të Tiranës, emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën duke bërë të mundur lokalizimin e mjetit me drejtues 46-vjeçarin dhe ndalimin e tij në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Gjatë kontrollit të ushtruar, në karrocerinë e mjetit, në një vend të përshtatur me dërrasa dhe binarë druri, u gjetën të fshehur 23 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 300 euro secilit, shtetasi I. T., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor, të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorë të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Top Channel