Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka sjellë vonesa në lundrimin e trageteve mes dy brigjeve të Adriatikut.

Në Gjirin e Durrësit dallgëzimi është 5-6 ballë, ndërsa në det të hapur forca e detit arrin në 8 ballë. Burime nga kapiteneria e Durrësit bëjnë me dije se moti i keq në shtetin fqinj ka shkaktuar vonesa për lundrimin e trageteve të linjës Bari-Durrës.

Dy tragetet e linjës duhej të kishin mbërritur në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm, në orën 08:00, po për shkak të motit ato janë nisur rreth orës 05.00 të mëngjesit nga Bari. Sipas parashikimeve, dy tragetet do të bregëzohen në port pas orës 13:00. Natën e kaluar edhe tragetet që do lundronin drejt portit të Barit kanë pasur probleme. Njëri nga dy tragetet është nisur me 3 orë vonesë, rreth orës 02.00 të mëngjesit të sotëm.

Ndërkohë trageti tjetër i linjës së Barit nuk është nisur fare natën e kaluar. Ai qëndron në kalatë për shkak të incidentit që ka pasur gjatë manovrave, si pasojë e një problemi në sistemin e komandimit.

Top Channel