Erling Haaland është një nga emrat e mëdhenj që pritet të tërheqë vëmendjen në tregun e trasferimeve verën e ardhshme. Sulmuesi norvegjez nuk po kalon një moment të mirë te Borussia e Dortmundit pas eliminimit të së martës nga Champions League.
Largimi i verdhezinjve nga kompeticioni më i rëndësishëm për klube, pavarësisht dygolëshit të tij në sfidën e fundit të fituar thellë 5-0 ndaj Besiktasit, dhe mospjesëmarrja në Botëror janë dy goditje të forta për një futbollist që aspiron të fitojë trofe të rëndësishëm.
Për këtë arsye, në Dortmund e kanë të qartë se vazhdimësia e “yllit” norvegjez është në diskutim serioz. Këtë e pranoi edhe shoku i tij i skuadrës, Marco Reus, pas eliminimit në Champions League:
“Sapo e pashë në dhomat e zhveshjes, ishte i zemëruar. Ende nuk flasim për të ardhmen e tij, por do të vijë momenti kur do të diskutohet edhe për këtë temë. Ai duket se është i shqetësuar për këtë. Për momentin, thjesht dëshiron të shënojë gola dhe është i lumtur për formën e tij. Sigurisht ai e di se çfarë ka këtu. Por, në fund, vendimi i përket atij.”
Mes klubve të mëdha që kërkojnë shërbimet e Haaland, Reali i Madridit duket se ka fituar përparësi. Pak ditë më parë, shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke deklaroi se nuk ekziston asnjë klauzolë për largimin e 21-vjeçarit nga Dortmundi.
Top Channel