Kërcënon Pekini, SHBA: Ta rrisë sa të dojë fuqinë ushtarake, s`kemi frikë

07/12/2021 14:50

Përparimet e fundit të Kinës në fushën ushtarake janë arsye për t`u shqetësuar sipas zyrtarëve amerikanë, por jo për panik.

Amerika nuk është një vend që i frikësohet konkurrencës”, tha sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin, në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare “Raegan” në Kaliforni.

Kina është një sfidë për Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha demokracitë, megjithatë Amerika dhe aleatët e saj mund t`i përgjigjen me besim  e vendosmëri”, shtoi ai.

Pekini sakaq ka kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet Shteteve të Bashkuara për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Këto Lojëra nuk janë “një skenë për shfaqje politike dhe për manipulime politike”. SHBA-ja do të paguajë një çmim për këtë që po bën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijain.

Ai u pyet se çfarë kundërmasash do të ndërmarrë Kina, por nuk tregoi dhe vetëm tha se duhet pritur. Ky reagim i Kinës erdhi pasi më 6 dhjetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të dërgojë diplomatë apo përfaqësues zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Uashingtoni tha se ekipi olimpik amerikan do të ketë “mbështetjen e plotë” të administratës dhe nuk do të ndikohet nga bojkoti diplomatik.

Top Channel