Moti i keq, i cili ka përfshirë të gjithë qarkun e Shkodrës ka sjellë edhe dëmet e para!

Si rezultat i fryrjes së përroit ndërkufitar të ‘Balvaderit’ rreth 200 hektarë tokë bujqësore në fushën e Muriqanit janë nën ujë. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe erës së fortë ka patur probleme me energjinë elektrike në disa njësi administrative të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Vau i Dejësit, Pukë, Fushë Arrëzit. Ndërsa dëbora e ka bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve të vogla drejt Thethit.

Lezhë

Rreth 80% e fshatrave dhe një pjesë qytetit kanë mbetur ditën e djeshme pa energji elektrike, ndërsa OSHEE bën me dije se po punohet për riparimin e defekteve të krijuara.

Ne zonat e ulëta bregdetare reshjet e shiut kanë qenë me një intensitet mesatar gjatë natës e ndërsa më problematik mbetet qyteti i Shëngjinit ku rruga e cila te dërgon nga Kunia për ne qendër mbetet shpesh herë e bllokuar nga uji duke sjellë vështirësi ne qarkullimin e automjeteve.

Në bashkitë Lezhë e Kurbin, niveli i ujërave në lumenj dhe sistemin kullues është mbi kuotat mesatare por pa problem të prezencës së ujit në sipërfaqet e tokës bujqësorë.

Në bashkinë Mirditë në lartësitë mbi 1000 metra ka reshje të dëborës, pa problem për bllokimin e rrugëve rurale dhe ato bashkiake.

Vlorë

Në Vlorë bashkia paralajmëroi të shmangen lëvizjet jo të domosdoshme. Dallgët në det të hapur pengojnë lundrimin e anijeve të vogla i cili është pezulluar për 6 ditë nga kapieteneria e portit.

Gjirokastër

I gjithë qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje intensive që prej mesditës së djeshme. Aktualisht akset nacionale janë të kalueshme por kemi kufizime të energjisë në zonat e thella dhe aluvione të sjella nga reshjet në akset dytësore.

Durrës

Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë gjithë natës e vijojnë pandërprere dhe mëngjesin e sotëm kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore të qytetit bregdetar. Disa kryqëzime rrugësh në lagjet 1, 18 dhe në Plazh e Shkozet janë zgjuar të përmbytura nga ujërat, duke shkaktuar vështirësi dhe vonesa në qarkullim për këmbësorët dhe automjetet. Për shkak të motit të keq në Gjirin e Durrësit, dy tragetet e linjës janë nisur nga porti detar i Durrësit  në drejtim të Barit me 3.5-4 orë vonesë, ndërsa mëngjesin e sotëm tragetet e ardhura nga Bari kanë mbërritur në kohë. Për shkak të reshjeve të dendura ka rritje të nivelit të lumenjve, por nuk ka dalje të tyre nga shtrati.

Top Channel