Durrësi është qarku me numrin më të lartë të grave të dhunuara, në bazë të raportimeve të bëra në shkallë vendi.

Në këto ditë të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, përfaqësia e OSBE-së në vendin tonë ka zgjedhur Durrësin dhe një qasje përmes artit dhe trajnimit mbi sigurinë e grave dhe vajzave për të ndërgjegjësuar mbi këtë fenomen që mbetet një plagë e hapur për shoqërinë tonë. Nga Durrësi, merr jetë dhe lëvizja “Not me/ Unë Jo” për të ndalur dhunën dhe pasojat e saj.

Clarisse Pasztory, Zv.kryetare e Prezencës së OSBE Shqipëri: Kjo nuk është një fushatë pro grave dhe kundër burrave, por është një fushatë që nxit bashkim. Është koha të themi: Jo unë! Gratë duhet t’i thonë vetes: Jo unë! Nuk dua të jem një viktimë. Djemtë duhet të thonë: Nuk do të jem një dhunues. Prindërit të thonë: Jo, fëmijët e mi nuk do të jenë pjesë e dhunës.

15 piktorë durrsakë u bënë bashkë duke ndërgjegjësuar përmes artit mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në shoqëri dhe përcjellë mesazhe kundër dhunës.

Marjana Goxhabelliu: Na del si detyrë ne grave që të investojmë më shumë për të ecur në profesionet tona, në inteligjencën, shoqërinë dhe familjet tona.

Ekspozita e çelur në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” do të qëndrojë e hapur deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ndërsa në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u organizua një trajnim me këshilla konkrete për sigurinë e grave dhe vajzave të cilat ndanë dhe përvojat e tyre kur janë ndjerë të kërcënuara.

Frosina Bardhi, eksperte pranë OSBE Shqipëri: Siguria e një gruaje është e lidhur shumë ngushtë me sigurinë e një kombi… Sa më të ndërgjegjshme të jemi aq më të fortë e ndërtojmë veten e të ardhmen dhe kontribuojmë për një shoqëri të sigurtë.

Top Channel