Libri ‘Ëndërr në Pallatin e Kuq’, i njohur edhe si Historia e Gurit, është një nga romanet më të mëdha të letërsisë kineze.
Një komunitet i madh matriarkal ku enden vasha fatlume ose të pafata, shërbëtore ose zonja, gra ose konkubina. Një atmosferë e rrallë në të cilën luhaten personazhe të lumtura ose të trishtuara, mes shfaqjesh dhe gjëegjëzash, vizitash te perandori dhe në kultet e rafinuara fetare. Sidoqoftë, lexuesi i huaj zbulon, i habitur, realitetin e një shoqërie komplekse, të mbajtur në fre nga burokracia, që i nënshtrohet një kodi nderi të ngurtë, të lidhur me zakone të pandryshueshme, të destinuara për të shkaktuar vuajtje.
Risia e formës së kësaj vepre, perspektiva e gjerë dhe natyra e librit që ka për objekt një univers të tërë, e kanë çuar kritikën e shkuar dhe të tashme në një shumësi interpretimesh të ‘Ëndërr në Pallatin e Kuq’. Theksi është vënë herë tek alegoria dhe herë te realizmi: roman ku personalitetet historike fshihen pas personazheve, rrugëtime për shpëtimin te besimi fetar, autobiografi, histori psikologjike të adoleshentëve, dashuri të palumtura, konteksti i Kinës së kohës, denoncim i shtrembërimeve të hierarkisë sociale dhe i shtypjes së të rinjve dhe grave…
Përmes historisë së adoleshentëve të një familjeje të madhe në rrënim e sipër, lexuesit i hapet rruga për të depërtuar në universin e botës kineze, jo vetëm të shekullit XVIII. Romani është një përshkrim i hollësishëm i jetës në dy degët e klanit të pasur aristokratik Jia, Shtëpisë Rong-guo dhe Shtëpisë Ning-guo, vendosur në dy komplekse të mëdha familjare, ngjitur, në kryeqytet. Pasuria dhe ndikimi i Jiave, deri në detaje natyraliste, si dhe dekadenca e tyre, përmes fatit të rreth tridhjetë personazheve kryesore dhe mbi katërqind personazheve dytësore, mbush faqet e këtij libri me vlerë.
Personazhi kryesor është trashëgimtari i lumtur i familjes, Bao-ju. Ai ka lindur me një gur “nefriti” në gojë. Bao-ju ka një lidhje të veçantë me kushërirën e sëmurë Dai-ju, me të cilën e bashkon dashuria për muzikën dhe poezinë, por është i paracaktuar të martohet me një kushërirë tjetër, Bao-çain, hiri dhe inteligjenca e së cilës janë simbol i një gruaje ideale, por me të cilën ai nuk ka një lidhje emocionale. Rivaliteti dhe miqësia romantike midis tre personazheve, në sfondin e fatit në rënie të familjes, formojnë historinë kryesore në roman.
Nga viti 1763, kur Cao Xueqin, autor i librit, u nda nga jeta, deri në botimin e parë të shtypur në janar 1792, ‘Ëndërr në Pallatin e Kuq’ (ose Historia e Gurit) qarkulloi në dorëshkrim, në fillim privatisht, dhe më pas më gjerësisht, kur kopjet filluan të gjejnë rrugën për te tezgat e librave në tregjet e tempujve të Pekinit. Këto kopje të dorëshkrimeve qarkulluan në disa versione, por të gjithë kishin dy gjëra të përbashkëta: të njëjtin titull; dhe të gjithë, për zhgënjimin e madh të lexuesve, ndërpriteshin në fund të kapitullit 80, tamam kur drama dukej se po i qasej kulmit. Në kohët moderne, faktet që njohim për këtë roman, u desh të rizbulohen me mundim. Botimi i dorëshkrimit më 1912 ishte një fillim. Fatkeqësisht vetë dorëshkrimi u dogj vetëm disa vjet më vonë, kurse varianti i shtypur ishte mjaft konfuz. Por që nga viti 1927 kanë dalë nga errësira gjithnjë e më shumë dorëshkrime dhe, duke i studiuar dhe krahasuar me informacione që mund të mblidheshin nga arkivat e shekullit XVIII dhe nga letrat dhe poezitë e Caos dhe miqve të tij, studiuesit kinezë qenë në gjendje të rindërtojnë një kuadër mjaft të hollësishëm të sfondit të romanit. Prej kohësh ky roman është konsideruar si një kryevepër dhe një nga majat e letërsisë kineze.
Dy fjalë për autorin
Cao Xueqin (1715-1763) lindi në një familje e cila për tre breza mbajti detyrën e Komisionerit të Tekstileve Perandorake në Nanking, një familje mjaft e pasur. Cao Xueqin kaloi një fëmijëri të lumtur. Por pasi pasuria e tyre u konfiskua me urdhër të perandorit, Cao Xueqin u tërhoq dhe shkroi romanin e famshëm ‘Ëndërr në Pallatin e Kuq’, në varfëri të plotë.
Detaje të librit
Titulli: Ëndërr në Pallatin e Kuq – Vëllimi 1
Autor: Cao Xueqin
Përktheu: Diana Çuli
Nr. i faqeve: 720
Cmimi: 1500 lekë
Titulli: Ëndërr në Pallatin e Kuq – Vëllimi 2
Autor: Cao Xueqin
Përktheu: Diana Çuli dhe Venera Domi
Nr. i faqeve: 924
Çmimi: 1500 lekë
Top Channel