Në momentin që Papa Francesku hynte në takimin e shumëpritur e shumë përfolur me Kryepeshkopin e Greqisë Ieronimos, një prift i moshuar ka protestuar teksa thërriste “Papë, ti je heretik” në rrugën jashtë Kryepeshkopatës si për të kujtuar edhe njëherë mosbesimin e thellë mes kishës katolike dhe asaj ortodokse.
Ndërkohë atmosfera e takimit dëshmoi krejtësisht të kundërtën me incidentin në fjalë, në përpjekjen që po bën Papa Francesku për afrimin dhe ndërtimin e urave siç është shprehur ai mes Lindjes dhe Perëndimit, por edhe kryesisht të mbështetjes së çështjes së emigrantëve, në një moment të forcimit të politikave të emigracionit nga shumë vende të BE.
“Është nderi ynë t’ju mirëpresim në Greqi për herë të dytë, pasi momentet e vizitës sonë të përbashkët në ishullin Lesbos me kreun e Kishës Ortodokse, Patriarkun Bartolomeu, janë ende të freskëta në kujtesën tonë, me synimin për të ngritur ndërgjegjësimin global për gjendjen e vështirë të refugjatëve dhe emigrantëve”- tha kryepeshkopi i Greqisë.
“Takohemi përsëri, për të ndarë gëzimin e vëllazërisë dhe për të parë Mesdheun që na rrethon jo thjesht si një vend vështirësish dhe ndarjesh, por edhe si një det që bashkon popujt”- tha Papa.
Pa Greqinë, pa Athinën, Europa dhe bota nuk do të ishte kjo që është sot, do të ishte më pak e mençur ka deklaruar kreu i Kishës Katolike më herët në takimin e tij me presidenten greke Katerina Sakelaropoylou, duke shtuar se sot jo vetëm në Europe, ka një tërheqje të demokracisë. “Demokracia kërkon pjesëmarrje dhe përfshirje nga ana e të gjithëve, rrjedhimisht, kërkon punë dhe durim. Është komplekse, ndërsa autoritarizmi është i detyrueshem dhe përgjigjet e lehta të populizmit duken tërheqëse”- vijoi Papa.
Papa që është pritur në aeroportin e Athinës, nga ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias është takuar më pas edhe me kryeministrin Mistotakis. Ai ka vizituar Akropolin, ndërsa është pritur me brohoritje në Katedralen Katolike të Shën Dionisit Areopagitit nga komuniteti i besimtareve katolikë në Greqi.
Mbi 80 gazetarë nga vende të ndryshme të botës shoqërojnë Papa Franceskun në vizitën e tij në Greqi, vizita e tretë këtu e një Pape në 1000 vitet e fundit, me synim përshpejtimin e nismave ndërfetare, ndërsa dy kishat përpiqen të kalojnë nga konkurrenca dhe mosbesimin shekullor prej Skizmës së Madhe në fillim të mijëvjeçarit të kaluar, drejt një bashkëpunimi të ri. Dita e dytë e vizitës së tij në vend vazhdon me udhëtimin e tij në ishullin e Lesvos .
Top Channel