Pandemia Covid 19 nxiti ndjeshëm rritjen e tregtisë ‘online’ në vend. Por, tregtia elektronike në Shqipëri karakterizohen kryesisht nga shitjet përmes rrjeteve sociale ç’ka e bën të vështirë monitorimin e këtij tregu dhe mbrojtjen e konsumatorëve që blejnë ‘online’.

Me qëllim mbrojtjen e kësaj kategorie, Financat përmes një vendimi të bërë publik nga drejtuesja e dikasterit Delina Ibrahimaj kanë saktësuar një periudhe 14-ditore për kthimin e mallit nga konsumatorët.

Ekspertët vlerësojnë se tregtia ‘online’ duhet të formalizohet, pasi plotësimi i kuadrit rregullator jo vetëm mbron konsumatorët, por edhe vetë shtetin nga humbjet në buxhet.

Duhen ndërmarrë masa sepse është një pjesë jo e vogël që i përket ekonomisë tonë. Problem është se është shumë informal, duke marrë parasysh se ne kemi edhe ekonominë infomale. Sektori i blerjeve ‘online’ është problematik për konsumatorin, sa i përket konkurrencës dhe trasparencës. Duhet medoemos të formalizohet. T’u jepet një kod, një nipt ku edhe konsumatorët të dinë ku të ankohen”, thotë Vjoldi Danaj, ekspert për ekonominë.

Teksa tregtia ‘online’ po shihet si një mënyrë e mirë për të siguruar të ardhura nga të rinjtë kryesisht, ndaj ekspertët propozojnë një lloj trajtimi të diferencuar nga bizneset fizike.

Janë të punësuar që në fakt nuk paguajnë as sigurime për veten e tyre. Nevojitet një hapësirë në legjislacion ku të jenë më të favorizuar. Të kenë ndoshta një taksim më të ulët, deklarime më të thjeshtuara. Status të veçantë”, shpjegon eksperti.

Rekomandimi për formalizimin e shitësve ‘online’ të paregjistruar është bërë edhe nga Banka Botërore sipas të cilës qeveria duhet të krijojë një mjedis të përshtatshëm për ekonominë digjitale, me krijimin e një legjislacioni tatimor dhe zbatimin e një kornize për mbrojtjen e konsumatorit.

Top Channel