Durrës/ Kapen dy kosovarët që tentuan të kalojnë kufirin me dokumente false, pranga edhe 49-vjeçarit të shpallur në kërkim

02/12/2021 13:07

Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre persona, për vepra të ndryshme penale. Dy kosovarë janë mes të arrestuarve, të cilët tentuan të kalojnë kufirin përmes portit të Durrësit me dokumente të dyshuara falso.  

“Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, shtetasit: A. K., 46 vjeçe dhe E. K., 22 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, pasi në PKK Port Durrës, kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 karta identiteti dhe 2 leje drejtimi të dyshuara të falsifikuara”, njofton policia.

Po ashtu është arrestuar edhe një 49-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim më herët, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Krujës kanë bërë ndalimin e shtetasit në kërkim P. K., 49 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike””, bën me dije policia.

Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel