Ushtria ruse drejt Bosnjes: Dodik takohet në Moskë me Putinin!

01/12/2021 13:14

Lideri i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, nje nga tre anëtarët e presidencës boshnjake, ndodhet për vizitë në Moskë ku sic thone mediat vendase është “duke kërkuar mbështetje dhe udhëzime për veprime të mëtejshme që synojnë shembjen e shtetit përmes kërkesave për transferimin e kompetencave te entiteti Republika Srpska”.

Sipas portalit boshnjak klix.ba, Dodik mbërriti në kryeqytetin rus në kulmin e konfliktit me Perëndimin, i cili nuk përjashton sanksionet për shkak të veprimeve të tij antishtetërore.

Në këtë kontekst, ata po bëjnë thirrje për angazhim më aktiv rus në Bosnje. Dodik thotë se mbështetet tek Rusia dhe Kina dhe se tashmë nuk i interesojnë kërcënimet e Perëndimit.

Sipas klix.ba, ajo që është interesante është përmendja e opsionit të ndihmës ruse për Republikën Srpska, ku nuk përjashtohet mundësia që “Moska të dërgojë forca të saj në Bosnje Hercegovinë”, siç bëri në mesin e viteve 1990, si një kontingjent paqeruajtës ndërkombëtar. Ato forca ushtarake u transferuan në Prishtinë në vitin 1999. Dhe ky moment, sipas shtypit boshnjak, përbën një kthesë të re.

“Politika zyrtare e Kremlinit deri më tani nuk e kishte përmendur një mundësi të tillë, por duke pasur parasysh marrëdhëniet e trazuara dhe dëshpërimin politik të Dodikut, interesante është edhe koha kur përmendet ky opsion”, thuhet në shkrim.

Prani ushtarake në Bosnjë ka vetëm NATO dhe EUFOR prej vitesh, ndërsa mandati i tyre së fundmi është zgjatur edhe për një vit.

Top Channel