Mbajtja e maskës bëhet e detyrueshme në ambientet publike në Britani

01/12/2021 14:08

Britania e Madhe të martën ka vendosur me detyrim mbajtjen e maskës në ambiente publike deri me datë 20 dhjetor.

Pavarësisht se disa qytetarë vazhduan të mbanin veshje mbrojtëse në ambiente publike, kufizimet e detyrueshme u hoqën me datë 19 korrik, katër muaj më parë. Megjithatë, numri i personave të infektuar ka variuar nga 30 mijë deri në 50 mijë në ditë.

Për personat që do kapen pa maskë në ambientet publike, gjoba tani mund të shkojë nga 200 deri në 6400 paund. Pas shkeljes së parë, nuk do të ketë ulje të masës së gjobës, thuhet në faqen e qeverisë.

Njerëzit që do të kontrollojnë qytetarët në mjediset publike për mbajtje të maskës mbrojtëse do të jenë oficerë ndihmës të policisë, oficerët e transportit publik dhe persona të tjerë të caktuar nga sekretari i shtetit.

Rregulli nuk do të zbatohet në restorante, bare, hotele dhe palestra. Maska nuk do të jetë e detyrueshme për fëmijët nën moshën 11 vjeçare, si dhe për personat që nuk mund ta mbajnë atë për shkak të shëndetit mendor dhe fizik.

Ky ndryshim kursi erdhi si pasojë e shfaqjes së variantit të ri Omicron. Kryeministri Boris Johnson deklaroi se ende nuk ka gjasa që Britania të izolohet, pasi numri i personave të infektuar me variantin e ri të koronavirusit vazhdon të jetë i vogël.

Masat e tjera të vendosura janë edhe kryerja e një tamponi me detyrim për të gjitha ata persona që futen në Britani. Rregullat e reja do të rishikohen brenda tre javëve, ndërsa kryeministri britanik theksoi se ishte i bindur se këto Krishtlindje “do të jenë më të mira se vitin e kaluar”.

Po ashtu, qeveria ka vendosur të aplikojë dozën e tretë të vaksinës COVID për të gjithë personat mbi 18 vjeç, deri në fund të muajit janar.

Top Channel