Inflacioni në eurozonë arrin nivel rekord prej 4.9%

01/12/2021 16:15

Çmimet e konsumit në 19 vende që përdorin monedhën euro kapën shifra rekord për shkak të rritjes së kostove të energjisë këtë vit.

Eurostat, agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian tha se norma vjetore e inflacionit të eurozonës arriti në 4.9 për qind në muajin nëntor, më e larta që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1997.

Ashtu si edhe vendet e tjera, eurozona, e cila përbëhet nga 19 ekonomi, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po përballet me një rritje të madhe të çmimeve të produkteve si rezultat i rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia dhe bllokimit të zinxhirit të furnizimit.

Në të gjithë eurozonën, inflacioni po prek nivele të larta, duke përfshirë Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Evropës, ku norma vjetore ka arritur në 6%.

Norma bazë e inflacionit në eurozonë, e cila shmang artikujt potencialisht të paqëndrueshëm si alkooli, energjia, ushqimi dhe duhani, u rrit gjithashtu në muajin nëntor me një normë vjetore prej 2.6% nga 2% që ishte më parë.

Në rrethana normale, rritja ka të ngjarë të shtojë presion mbi Bankën Qendrore Evropiane për të filluar shqyrtimin e perspektivës së rritjes bazë të normës së interesit. Banka ka si detyrë të përcaktojë politikat financiare për të përmbushur objektivin e inflacionit prej 2%.

Top Channel