“Nuk kthehem më kurrë në shtëpi”, flet nëna shqiptare e 10-vjeçarit që u vra me thikë nga babai polak

29/11/2021 16:49

Mariola Rapaj, nëna shqiptare e 10-vjecarit që u vra me thikë nga babai polak ka folur rreth ngjarjes së rëndë në Itali. Ajo ndodhet ende në gjendje shoku dhe thotë se nuk do të shkelë më kurrë në shtëpi, ndërsa tani po qëndron tek motra e saj.

“Dhimbja është shkatërruese. Unë nuk do të kthehem kurrë në atë shtëpi, nuk dua të shkoj më atje. Nuk më shkon mendja se çfarë mund të kishte ndodhur atë ditë të tmerrshme atje. Në këtë moment dhimbjeje të madhe, nuk jam në gjendje të shpjegoj atë që ndiej”, tha Marjola Rapaj pas daljes nga spitali.

Mattias, 10 vjeç, u vra nga babai i tij, Mirko Tumkov më 16 Nëntor. Babai polak, roje sigurie në një spital të zonës, e vrau të miturin duke i prerë fytin me thikë kuzhine, ndërkohë që Gjykata e Viterbos kishte vendosur që 44-vjeçari mos t’i afrohej banesës pas ndarjes së çiftit.

Sipas mediave italiane, shkaku i divorcit ishte dhuna sistematike që 44-vjeçari kishte ushtruar ndaj shqiptares. Fëmija u kthye në banesë pas shkolle rreth orës 13.30 i shoqëruar nga një i afërm i tij, dhe më pas i ati i tij ka arritur të hyjë në banesë ku kreu dhe krimin.

Mariola Rapaj, 32 vjeç, e gjeti djalin e saj të pajetë në dysheme kur u kthye në banesë nga puna, rreth orës 15.30. Burri ishte në një dhomë tjetër.

Top Channel