OBSH: Varianti i ri Omicron është një shqetësim

26/11/2021 19:33
Kreu i OBSH-së Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar një “variant të ri shqetësues”, pra një mutacion të ri të koronavirusit.

Varianti, me emrin Omicron, u raportua për herë të parë në OBSH nga Afrika e Jugut më 24 nëntor. I njohur më parë si B.1.1.529, ai është identifikuar gjithashtu në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael.

OBSH tha të premten se provat e hershme sugjeronin një rrezik në rritje të riinfeksionit me këtë variant.

Në një deklaratë të premten, ku zyrtarisht është emëruar edhe varianti i ri, organizata tha se numri i rasteve të këtij varianti duket se po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut.

“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese”, thuhet në një deklaratë.

Nuk është e pazakontë që një virus të ndryshojë me kalimin e kohës. Një variant bëhet një variant shqetësues kur ai mutacion mund të ndikojë në gjëra të tilla si transmetueshmëria, virulenca ose efektiviteti i vaksinave.

OBSH ka thënë se do të duhen disa javë për të kuptuar ndikimin e variantit të ri, pasi shkencëtarët punojnë për të përcaktuar se sa i transmetueshëm është.

Top Channel