Arrihet marrëveshja për qeverinë e Gjermanisë, ja kush e mbështeti

25/11/2021 09:11

Socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP ranë dakord për të formuar qeverinë e Gjermanisë. Zgjerimi i BE me Ballkanin Perëndimor dhe Kosova mbështeten në marrëveshjen për qeverinë.

Rreth dy muaj pas zgjedhjeve federale, SPD, të Gjelbrit dhe FDP prezantuan sot marrëveshjen e tyre të koalicionit për një qeveri të përbashkët. Deri tani, ata kishin heshtur për shumë detaje.

Kandidati i partisë socialdemokrate gjermane, Olaf Scholz tha se tre partitë kishin arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri të re të Gjermanisë.

Scholz-i, i cili do të zëvendësojë Merkelin, tha se qeveria e re nuk do të kërkojë “sa më pak të jetë e mundur”. Kjo qeveri nuk do të kërkojë “emëruesin më të vogël të përbashkët, por politikën e ndikimeve të mëdha”. Ai tha se pret që anëtarët e partive të japin mbështetje për marrëveshjen e koalicionit në 10 ditët e ardhshme.

Gjermania pioniere në mbrojtjen e klimës

SPD, të Gjelbrit dhe FDP paraqitën pikat e forta të marrëveshjes së tyre të koalicionit. Kandidati për kancelar i socialdemokratëve Scholz tha se aleanca trepalëshe dëshiron ta bëjë Gjermaninë pioniere në mbrojtjen e klimës. Sipas marrëveshjes së koalicionit, Gjermania synon marrë 80 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.

Fillimisht, Scholz mbajti një deklaratë për gjendjen e pandemisë së Coronas në Gjermani. Scholzi u shpreh në favor të një vaksinimi të detyrueshëm kundër koronas në disa institucione që strehojnë grupe me rrezik të lartë. “Vaksinimi është zgjidhja për të dalë nga kjo pandemi”, tha ai në Berlin. “Në institucionet ku ka veçanërisht grupe vulnerabël, duhet ta bëjmë të detyrueshëm vaksinimin”.

Qeveria e ardhshme, e cila do të drejtohet nga SPD, me partnerë Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, do të formojnë një organ këshillues ekspertësh, i cili do të informojë çdo ditë administratën për pandeminë, u tha Scholz-i gazetarëve.

Punonjësit e shëndetësisë dhe personeli kujdestar do të marrë gjithashtu një ngritje të posaçme page. Për këtë partitë e koalicionit të ri kanë rezervuar një miliardë euro.

Politika e jashtme në marrëveshjen e koalicionit

Politika e jashtme në tërësi zuri pak vend në konferencën e shtypit. Por ajo trajtohet në marrëveshjen e qeverisë së re të Gjermanisë.

Koalicioni i ri qeveritar do ta vendosë mbrojtjen e një “Evrope sovrane” në qendër të politikës së tij të jashtme, tha kancelari i ardhshëm Olaf Scholz.

“Evropa sovrane është çelësi dhe është një detyrë për politikën tonë të jashtme”, deklaroi socialdemokrati Olaf Scholz. Ai dëshiron “të bëjë të mundur këtë Evropë sovrane, ta nxisë dhe ta bëjë të përparojë”.

Në deklaratën qeveritare Olaf Scholz tha se politikën e jashtme Gjermania do ta zhvillojë në miqësi me Francën dhe në partneritet me SHBA.

Zgjerimin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor partitë e koalicionit e mbështesin konkretisht. Veçanërisht Të Gjelbrit dhe socialdemokratët e patën këtë edhe pjesë të programit të tyre elektoral.

Ballkani në vëmendje

“Ne mbështesim procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së ardhshme të Gjermanisë. “Në këtë kuadër, ne forcojmë shoqërinë civile dhe mbështesim fazat e tjera të paraanëtarësimit”. Qartë shprehen socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së në marrëveshjen e koalicionit se “si hap pasues duhet të hapen kapitujt e parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet vendosur liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdohen negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë”.

“Ne mbështesim dialogun e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE, si dhe përpjekjet për të arritur paqe të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, bazuar në respektimin e integritetit territorial dhe kapërcimin e ndarjeve etnike. Paralelisht me negociatat e anëtarësimit, BE duhet të përmirësojë kapacitetin e tij pranues”, thuhet në marrëveshjen për qeverinë e ardhshme gjermane.

Pyetjes së DW, pse politika e jashtme është pas faqes 100 në marrëveshje, Scholz-i tha se ai është i ndërgjegjshëm për vendin e Gjermanisë në politikën botërore. Ai tha se Gjermania nuk do të jetë në pozicionin e atyre që vetëm japin komente.

Veçanërisht bashkëpunimit me SHBA i kushtojmë rëndësi të madhe, në botën që është bërë multipolare, tha kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.

Më shumë fuqi punëtore e kualifikuar

Marrëveshja për qeverinë përcakton më tej nevojën që të hiqet kufizimi kohor për tërheqjen e fuqisë punëtore të kualifikuar nga Ballkani Perëndimor. Blue-Card do të zgjerohet edhe për profesionet jo akademike.

“Përveç legjislacionit aktual të imigracionit, ne do të krijojmë një shtyllë të dytë me futjen e një harte mundësish të bazuar në një sistem pikësh, në mënyrë që t’u mundësojmë punonjësve që kërkojnë një punë të hyjnë në një mënyrë të kontrolluar në tregun gjerman të punës”.

“Në të njëjtën kohë, do të ulim pengesat për njohjen e kualifikimeve arsimore dhe profesionale nga jashtë vendit dhe do të përshpejtojmë procedurat”.

Bisedime me pak informacione publike

Partitë respektuan afatin që kishin shpallur, përkatësisht formimin e koalicionit të parë federal me ngjyrat e semaforit deri në Krishtlindje. Qëllimi i përbashkët është zgjedhja e Ministrit aktual të Financave Olaf Scholz (SPD) si Kancelar Federal.

Negociatat e koalicionit filluan më 21 tetor. Ato u zhvilluan rreth një tryeze kryesore të rrumbullakët të përbërë nga shtatë përfaqësues të nivelit të lartë nga secila parti dhe 22 grupe pune. Në këtë të fundit, ekspertë partiakë negociuan detajet e marrëveshjes së koalicionit.

Kandidati për kancelar i SPD, Olaf Scholz, vlerësoi atmosferën e negociatave.

Por të Gjelbërit, në veçanti, kanë shprehur ditët e fundit kritika. “Ndonjëherë ishim vërtet të ngopur, sepse patëm ndjesinë se vetëm të Gjelbrit ishin përgjegjës për mbrojtjen e klimës”, u shpreh para disa ditësh Annalena Baerbock, bashkëkryetare e të Gjelbërve.

Neutraliteti klimatik duhet të jetë udhërrëfyesi për çdo fushë politike – jo vetëm për një ministri mjedisi, por edhe për bujqësinë, transportin dhe mbi të gjitha për ekonominë dhe industrinë, u shpreh Baerbock-u.

Scholz nuk e sheh koalicionin si një aleancë të thjeshtë për një periudhë zgjedhore, njësoj si kreu i FDP-së, Christian Lindner. Po të shikoni platformat zgjedhore si një pikënisje, koalicioni tripartiak padyshim filloi si një aleancë për një synim të caktuar, por mund të rezultojë më shumë në të ardhmen, është shprehur Lindneri. “Një koalicion duhet të fillojë punën me synimin për t’u rizgjedhur së bashku”./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA