Eurobondi, instrument për të amortizuar deficitin? Ministrja Ibrahimaj sqaron: Niveli i borxhit dhe deficitit është i lartë, por…

24/11/2021 12:22

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka mohuar që eurobondi prej 650 milionë euro të jetë marrë për të amortizuar deficitin. Në konferencën që pati me gazetarët, ministrja informoi se eurobondi i emetuar nga Shqipëria është 650 mln euro me një afat maturimi 10-vjeçar.

Ndër të tjera ajo theksoi se qeveria është e vetëdijshme se niveli i borxhit dhe deficitit është i lartë, por për sa kohë që ky nivel garanton rritje ekonomike argumenton se është në nivele të qëndrueshme.

Pyetje: A është ky eurobond, duke qenë se pati edhe një dalje të shpejtë për të amortizuar deficitin, duke qenë se pavarësisht të ardhurave të mira të këtij viti është i lartë?

Ibrahimaj: Është e mira që ky deficit i lartë të përdoret për rritje ekonomie. Deficiti këtë vit parashikohet të jetë në nivelin 6.8%. Ne kemi vendosur që të rrisim deficitin dhe huamarrjen me qëllim që t’i japim stimuj fiskalë ekonomisë, që janë materializuar që tani në rritje ekonomike. Sipas parashikimeve të FMN-së rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2021 është 7.8%, ne garantojmë atë tregues të shëndetshëm të raportit ndaj rritjes ekonomike me deficitin në këtë vit që ishte i vështirë.

Ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë, aty ku ne kemi pasur stimuj fiskalë dhe është përkthyer në rritje dhe në rritje të punësimit që ka arritur ato nivele të para pandemisë.

Ne jemi të vetëdijshëm që niveli i borxhit dhe deficitit është i lartë, por për sa kohë që ky nivel garanton rritje ekonomike mendoj se janë në nivele të qëndrueshme. Për shkak se këto parametra kanë ndryshuar për shkak të pandemisë dhe jo për shkak të menaxhimit dhe vullnetit të qeverisë. 

Top Channel