Eurobondi 650 mln euro/ Pse vendet fqinje e marrin me interes më të ulët? Ministrja tregon pse s’mund të bëhen krahasime mes shteteve

24/11/2021 12:05

Shqipëria ka emetuar sot eurobondin me vlerë 650 milionë euro me një afat maturimi 10-vjeçar. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat.

Teksa e quajti këtë një sukses në historinë e ekonomisë shqiptare, ministrja Ibrahimaj iu përgjigj interesit të gazetarëve se përse vende fqinje të Shqipërisë, që kanë profil të njëjtë me ne, e marrin eurobondin me interes më të ulët dhe të favorshëm sesa ne.

Ibrahimaj u shpreh se krahasimi i eurobondeve nuk mund të bëhet mes vendeve, por duke iu referuar historikut të ekonomisë vendase, pasi çdo vend ka profilin e vet ekonomik, social, politik. Po ashtu ajo shtoi se vendet fqinje e kanë marrë me një afat maturimi më të ulët se Shqipëria.

Pyetje: Zonja ministre ju thatë që Shqipëria ka emetuar një eurobond në shumën 650 mln euro. Kanë një profil të njëjtë edhe vendet fqinje si Maqedonia. Pse ata e marrin me një interes më të ulët dhe më të favorshëm sesa ne?

Ibrahimaj: Nëse do kemi një bazë krahasimi është e mira që baza e krahasimit të jetë me vendin tonë dhe performancën në të gjitha vitet e kaluara. Çdo vend ka profilin e vet ekonomik, social, politik, ka rrethana  të vetat dhe mendoj që këto krahasime duhen bërë me performancën e vetë ekonomisë, me performancën e normave të interesit të borxhit, por e kam fjalën me të gjithë treguesit ekonomikë. Pra ecuria e një ekonomie duhet të matet me historikun e saj. Këtu ne arritëm të marrim një normë interesi 3.5 është norma më e ulët e interesit që kemi marrë ndonjëherë ndërkohë që të njëjtën normë arritëm ta mbanim për një afat maturimi më të lartë. Duke konsideruar të gjithë treguesit vendet fqinje kanë dalë me një afat matarimi më të ulët, por unë nuk do ta krahasoja veten me vendet fqinje, por me veten tonë dhe me ecurinë e strukturës ekonomike që ne kemi.

Top Channel