Foto ilustruese

Në Shqipëri, veprimtaret e të drejtave të grave e vajzave si dhe qendrat e këshillimit shprehen për shtimin e denoncimeve të dhunës ndaj tyre prej bashkëshortëve.

Po ashtu është vërejtur një shtim i dhunës gjatë pandemisë, por denoncimet dëshmojnë për një dhunë sistematike, që zgjat me vite në martesat e tyre, që arrijnë kulmin me plagosje të rënda dhe me vrasje.

Një rrjet i gjerë i organizatave shqiptare po përgatiten të nisin nga nesër një fushatë kundër dhunës ndaj grave e vajzave, ndërkohë që vazhdon puna e përditshme për mbrojtjen e viktimave.

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare merr çdo ditë denoncime për dhunë nga gra dhe vajza përmes telefonit, të cilat i këshillojnë nga afër e më pas i përfaqëson në gjykatë, duke u përgatitur dokumentet e proceseve gjyqësore.

Format e dhunës janë nga më të ndryshmet emocionale, psikologjike, ekonomike, seksuale, por dhuna fizike është ajo që denoncohet më shpesh pasi durohet nga gratë vite të tëra, pohojnë ekspertet e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare.

Avokatja Lirie Dina veçon një grua, që ndihmoi muajt e fundit, kur denoncoi bashkëshortin pas shumë vjet dhune, sepse tashmë ai po dhunonte edhe fëmijën e tyre.

“Burri e dhunonte prej 16 vjetësh edhe në prani të fëmijës. Ajo provoi të gjithë llojet e dhunës dhe i duroi që të mos prishej familja dhe të mos dëmtohej fëmija. Por më në fund e denoncoi bashkëshortin sepse ai kërcënoi se do ta hidhte fëmijën e tyre nga tarraca e pallatit. Plagët e veta i duroi me vite, por tek fëmija nuk duroi dot më” – thotë avokatja Dina.

Veprimtaret vlerësojnë se megjithë numrin në rritje të denoncimeve, përsëri ka në shoqëri shumë gra e vajza të tjera, që ende nuk guxojnë të denoncojnë nga frika e humbjes së jetës, nga frika e humbjes së familjes, pasurisë dhe të banesës.

Denoncime të vazhdueshme nga gra dhe vajza të dhunuara merr nga telefoni dhe trajton nga afër edhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”.

Drejtuesja e Qendrës, Fabiola Egro, thotë se ky rrjet është kujdesur për qindra raste dhune në Tiranë, Durrës dhe zona të tjera, ku pavarësisht nga gjeografia e larmishme, shqetësimi mbetet i njëjtë; dhuna e përhapur dhe e tejzgjatur ndaj grave dhe vajzave.

“Marrim shumë telefonata me denoncime, të cilat janë shtuar ndjeshëm. Pjesa dërrmuese janë ndaj grave e vajzave, si dhe ndaj fëmijëve. Përpiqemi t’i ndihmojmë përmes bashkëpunimit me mekanizmat kundër dhunës, në gjykata me masat e mbrojtjes dhe në komunitetet e tyre” – thotë zonja Egro.

Ekspertet pohojnë se gratë e dhunuara në familje kanë nevojë për ndihmë ligjore të shumëllojshme, nga zgjidhja e martesës, detyrimet financiare për fëmijët, e deri tek ndarja e pronave të përbashkëta, për të cilat janë bërë përmirësime edhe në ligjin e kadastrës, ku gruaja njihet si bashkëpronare.

Nga ana tjetër, avokatja Dina thotë se janë përmirësuar dhe ato kanë nisur të zbatohen si për mbrojtjen ashtu edhe për trajtimin e grave e vajzave, viktima të dhunës në familje. Megjithatë problemet vazhdojnë, siç del edhe nga një monitorim i Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare në gjykatat e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, për zbatimin e ligjit të dhunës në familje, realizuar me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.

“Kemi konstatuar nga monitorimi se në jo pak raste vlerësimi i riskut për viktimat e dhunës nuk bëhet bashkarisht nga institucionet e ngarkuara sipas ligjit. Kjo sjell vështirësi të mëtejshme, që shkaktohen nga mos marrja e vendimeve në mënyrë të njëkohshme nga institucionet, ndaj bashkëpunimi mes tyre është mëse i domosdoshëm” – thotë avokatja Dina.

Qendrat e emergjencës dhe mekanizmi kundër dhunës janë detyrim ligjor për t’u ngritur pranë çdo bashkie, përballë situatës kritike të grave dhe vajzave.

Zonja Egro thotë se “në Durrës dhe në zona të tjera po ngrihen qendra emergjence për trajtimin e menjëhershëm të rasteve të denoncuara, për të nxjerrë sa më parë urdhra mbrojtjeje dhe për të vlerësuar gjendjen dhe pasojat”.

Gratë e dhunuara pohojnë se kanë nevojë për mbrojtje të vazhdueshme, se ndjehen të kërcënuara edhe pasi denoncojnë dhunën në familje, sepse dhunuesit i konsiderojnë si pronë bashkëshortet dhe shkelin urdhrat e mbrojtjes, që nxjerr gjykata, ndaj atyre u duhet shumë guxim për këto denoncime dhe ballafaqime me ta në gjykatë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA