Eurobondi i pestë shqiptar/ Ekspertët: Edhe pse jo në kushte optimale, është diçka pozitive

23/11/2021 15:19

Shqipëria ka emetuar me sukses eurobondin e pestë në historinë e saj. Në tregjet ndërkombëtare janë marrë 650 milionë euro, ndërsa interesi që do të paguhet është në normën 3.75%, me afat shlyerje 10 vjet.

Për profesorin e ekonomisë Elvin Meka kjo dalje në tregje ndërkombëtare ishte një operacion i mirë në terma të përgjithshëm:

“Edhe pse jo në kushtet më optimale, do e vlerësoja si diçka pozitive nëse do të merrej në termat e kornizës komplekse, pra të pikturës së madhe”.

Dalja e parë e Shqipërisë për të blerë eurobond ishte në vitin 2010, duke vijuar në 2015, 2018 dhe 2020-ën, ndërsa në total janë marrë 2.55 miliardë euro me këtë instrument. Sipas profesorit qeveria mund të marrë borxh deri në pikën ku kostoja e tij nuk tejkalon rritjen ekonomike.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave borxhi do të arrijë në 80.5% ndaj prodhimit të brendshëm duke u rritur me 13.7% vetëm gjatë dy viteve të fundit. Ndërkohë, kostoja që shqiptarët do paguajnë për interesat e borxhit në vitin aktual janë në vlerën 44 miliardë lekë (afro 370 milionë euro), ndërsa në vitin 2024, pagesat e interesave do të arrijnë në 65 miliardë lekë (543 milionë euro) gati 3.1% ndaj PBB-së.

Eurobondi i 5-të

650 milionë euro
Interes 3.75%
Afati 10 vite

Eurobondi ndër vite
2010 2015 2018 2020 2021 Viti
300 450 500 650 650 Milionë euro

Totali 2.55 miliardë euro

Kostoja e borxhit
2021 44 mld lekë 2.5% e PBB
2024 65 mld lekë 3.1% e PBB

Top Channel