Taulant Balla: Kemi dakordësi të plotë për të ngritur Komisionin për Reformën Zgjedhore, do adresohen rekomandimet e OSBE-ODIHR-it

22/11/2021 11:32

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka dalë në deklaratë për mediat ku ka folur për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore duke thënë se janë në dakordësi të plotë dhe kanë përfunduar 95% të punës.

Sipas Ballës, ky komision do të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it që do të jetë edhe objekt i punës. Ndërsa propozimet e tjera do të shqyrtohen në Komision ku do të ketë të drejta të barabarta mes dy partive më të mëdha në vend.

Balla: Është dakordësi e plotë për tu ngritur. Një dokument parlamentar si projektvendimi për ngritjen e këtij komisioni ku do të arsyetohen objekti i punës apo përbërje janë në punë e sipër. 95% e punës është bërë. Jemi duke saktësuar dhe diçka të fundit që ka të bëjë me objektin e punës së komisionit. Besoj se këtë çështje do ta zgjidhim, në mos brenda kësaj të enjte, në një nga seancat pasardhëse të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo që ka rëndësi është se po e diskutojmë dhe kemi shprehur vullnet për ta ngritur këtë Komision të Posaçëm.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore adreson të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga raportet e OSBE-ODIHR-it. Duhet ta pranojmë se kemi që nga 2015 që nuk i kemi adresuar të gjitha rekomandimet dhe ky do të jetë objekti i punës. Nëse Komisioni vjen edhe me propozime të tjera, do të shqyrtohen. Unë besoj se do ta gjejmë zgjidhjen në themelin e hedhur prej shumë vitesh kur ka ngritur Komisione të Posaçme të Reformës Zgjedhore të Kuvendit.

Edhe pse me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore u shty, palët nuk janë penguar të vazhdojnë komunikimin për të gjetur dakordësinë.

Rreth 20 ditë më parë, PD depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Në kërkesën e firmosur nga 10 deputetë thuhet se Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit dhe zgjedhjeve të mëparshme të pa trajtuara.

Kërkesa u pranua edhe nga kryeministri Edi Rama.

Top Channel